Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka votuar nga qelia në zgjedhjet parlamentare të ditës së sotme. Ai ka theksuar se kjo është një ditë e rëndësishme dhe historike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, ndërsa ka shprehur shqetësimin për pengesat që kanë shoqëruar votimin e tij.
Meta tha se kishte kërkuar që media të ishte e pranishme gjatë procesit të votimit, por pas njoftimit të patronazhistëve se ai ishte veshur me ngjyrat kuq e zi, gazetarët u ndaluan të hynin në qendrën e votimit.
“Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë! Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën këtu, pas kërkesës së tyre, që të votoja sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat. Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur kuq e zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.”
Ai gjithashtu e konsideron këtë ditë si një moment për ndryshim dhe ka ftuar shqiptarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për të garantuar lirinë dhe ndryshimin e vërtetë për vendin.