Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke i quajtur ato të manipuluara dhe të diktuara nga krimi i organizuar. Në një konferencë për media, ai ka akuzuar qeverinë se ka bashkëpunuar me grupe kriminale për të manipuluar vullnetin e qytetarëve.
Berisha theksoi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, duke deklaruar se bandat kriminale të lidhura me qeverinë ishin aktive në 10 qarqe dhe 20 bashki të Shqipërisë. Sipas tij, këto grupe patronuan 30 deputetë të mazhorancës.
Ai përmendi gjithashtu Bashkinë e Vorës, ku një bandë lokale, sipas tij, ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. “Ky nuk është votim demokratik, por një farsë e orkestruar nga qeveria,” tha Berisha.
Deklaratat e tij vijnë pas një fitoreje të thellë të mazhorancës në zgjedhjet e 11 majit, të cilat po krijojnë tensione politike.