Në mandatin e katërt Edi Rama po fiton grupin parlamentar më të madh
Kjo nënkupton:
- Mundësinë për ndryshime kushtetuese, ndoshta drejt një sistemi gjysmë-presidencial apo presidencial, gjë që do të mund t’i garantonte qeverisje “alla Macron”, duke u shkëputur nga partia. Partinë udhëheqësit postmodernë zakonisht nuk e shohin as si mjet e as si qëllim, por shumë më tepër si barrë. Ata duan t’i përkasin mbarë kombit e të jenë të lirë prej partive, pra të lirë prej programeve, shtresave shoqërore, grupeve të interesit a ideologjive. Kjo liri e liderit është përbrendësuar nga masat e gjera që e shohin partinë dhe partiakësinë apo ideologjinë si gjë të keqe, e pastaj s’kuptojnë pse partitë e liderët ngjajnë të gjithë njësoj.
- Uljen e rëndësisë së deputetëve në nivele të reja. Zvogëlimi i rëndësisë së deputetit shkon dora-dorës me zvogëlimin e rëndësisë së parlamentarizmit dhe demokracisë. Kur ke grup të bollshëm parlamentar, askush s’guxon fort të bëjë gëk-mëk, se është “i shpenzueshëm”. Sidoqoftë, nga fundi i mandatit, sidomos nëse bëhet e qartë që Rama do të ketë synime presidenciale, mund edhe të ketë nisma. Por gjasat gjithsesi janë të vogla, gjykuar nga niveli intelektual i treguar nga disa prej kandidatëve të rinj të listës fituese apo nga niveli i fleksibilitetit treguar nga të vjetrit.
- Uljen e peshës së bandave dhe faktorëve mediatiko-biznesore të lidhura me politikën. Këta mbase edhe kanë bërë ndonjë deputet të vetin, por me rezultatin e përgjithshëm, deputeti (apo deputetët) e tyre janë të parëndësishëm e të shpenzueshëm. Ndaj dhe ata vetë, nëse s’kanë kapacitete destabilizuese (gjë që pak gjasa ka) janë të shpenzueshëm, prandaj do jenë të urtë, të bindur dhe në rresht. Disave do t’u sekuestrohen pronat e kamjet, disa prej tyre edhe do të mbeten pa përgjigje në sms-at që çojnë lart.
—
Situata nuk ngjan fare me momentin kur Stalini shtypi bashkëpunëtorët e vet, çoi në ekstrem centralizimin, dhe Eisensteini i shkretë krijoi kryeveprën kinematografike “Ivani i Tmerrshëm”, që rrëfen se si cari mesjetar erdh në pushtet si një i dobët, sajë bujarëve e bajraktarëve, por kur u forcua mjaftueshëm e kur mësoi mjeshtërinë e intrigës, i shkeli fatalisht bujarët e bajraktarët që e sollën në fuqi. Nejse.