Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka dërguar një mesazh të rëndësishëm për anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve, duke theksuar se çdo cenim i votës për kandidatët në listën “e hapur” është shkelje e rëndë e integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja ligjore serioze.
Celibashi theksoi se është e ndaluar të bëhet rivlerësim i votave për partitë apo koalicionet pas fillimit të procesit të numërimit të votave për kandidatët.
Ai shtoi se çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet tentativë për manipulimin e rezultatit zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.
Gjithashtu ai nënvizoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmime të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për të gjitha KZAZ, duke siguruar transparencë dhe ndjekje të rreptë të procesit zgjedhor.