Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka shprehur mendimet e tij para përballjes me Parmën, duke theksuar se ekipi i tij ka përgatitur “tortën”, por tani duhet të vendosë “qershinë” për të arritur objektivin e sezonit.
“Na kërkuan të përgatisnim një tortë dhe ne e kemi bërë e prezantuar. Tani mungon vetëm qershia,” deklaroi Conte, duke nënvizuar se Napoli po lufton për një objektiv që fillimisht nuk ishte i parashikueshëm, por që ka një përgjegjësi të madhe mbi shpatullat e skuadrës.
Trajneri i Napolit foli gjithashtu për gjendjen e lojtarëve, duke përmendur McTominay, i cili ka pasur disa probleme fizike, dhe David Neres, i cili është rikuperuar pjesërisht, por nuk do të luajë nga minuta e parë.
Conte i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kundërshtarit, Parmës, e cila po lufton për mbijetesë. Ai theksoi se skuadra e Di Francesco do të japë gjithçka për të marrë rezultat.
Fjalët e tij për rëndësinë emocionale të këtij momenti ishin gjithashtu të fuqishme: “Vetëm kush nuk ka luajtur kurrë për asgjë mund të mendojë se nuk ka përfshirje emocionale. Këto janë presione që i kemi fituar me meritë,” tha Conte.
Ai e vlerësoi edhe barazimin zhgënjyes me Genoa-n, duke e cilësuar si një ndeshje që Napoli meritonte të fitonte, por tani fokusimi është vetëm te përballja me Parmën. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rikthimit të Napolit në Champions dhe entuziazmin që ka shpërthyer tek tifozët.
Në përballjen indirekte me Interin, Conte shpjegoi se do të monitoronin rezultatin e skuadrës milaneze gjatë ndeshjes, por pa spekuluar për pasojat e mundshme.
Përfundoi mesazhin e tij me një thirrje për ambicie: “Duhet të kemi ambicien të mbetemi në kujtesën e Napolit. Kemi bërë shumë, por kemi ende diçka të madhe për të arritur.”