-sidi education-spot_img
20.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ministri i Jashtëm i Iranit: Kemi arritur një marrëveshje me SHBA-në për një raund të ri bisedimesh për çështjen bërthamore

Kryesoret

Ministri i Jashtëm i qeverisë iraniane, Abbas Aragçi, njoftoi të dielën se Irani ka arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e raundit të pestë të bisedimeve mes dy vendeve për programin bërthamor.

Ai shtoi se data e këtij raundi do të bëhet e ditur së shpejti.

Në të njëjtën kohë, Aragçi shprehu gatishmërinë e Teheranit për të “hapur një kapitull të ri” me vendet evropiane, ndonëse këto të fundit kërcënojnë me rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit. “Irani është i gatshëm të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Evropën, nëse vëren një vullnet të vërtetë dhe një qasje të pavarur nga ana e vendeve evropiane”, theksoi ai.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, së bashku me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, janë palë në marrëveshjen e vitit 2015 për programin bërthamor të Teheranit. Marrëveshja parashikonte heqjen e sanksioneve kundër Iranit në këmbim të kufizimit të aktiviteteve të tij bërthamore, por u bë de facto e pavlefshme pasi SHBA u tërhoq nga ajo në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Diplomatët evropianë vlerësojnë se kanë mundësinë të zbatojnë të ashtuquajturin “snapback”, një mekanizëm i marrëveshjes së vitit 2015 që lejon rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit.

“Nëse Evropa ka vullnetin e nevojshëm për të korrigjuar këtë situatë, Irani nuk sheh asnjë pengesë në rikthimin e besimit të ndërsjellë dhe në zhvillimin e marrëdhënieve” me vendet evropiane, theksoi sot Aragçi.

Në fund të prillit, homologu i tij francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Evropa nuk do të hezitonte “asnjë sekondë” të rivendoste sanksione ndaj Teheranit nëse siguria evropiane kërcënohet nga programi bërthamor iranian.

Në një artikull të botuar javën e kaluar në faqen e gazetës franceze Le Point, kreu i diplomacisë iraniane paralajmëroi evropianët për “strategjinë e tyre të përballjes”.

Të premten, Irani zhvilloi bisedime në Turqi me fuqitë evropiane, me fokus programin bërthamor, pas një raundi të katërt bisedimesh të zhvilluara të dielën e kaluar me ndërmjetësimin e Omanit, ndërmjet Teheranit dhe SHBA-së.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit