Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen “Partizani”, ku të akuzuar janë kryetari i PD, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ndaj ish-kryeministrit rëndon akuza për korrupsion pasiv dhe për Berishën është në fuqi masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, për dhëndrin e tij janë dy akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, me Malltezin që vijon të mbetet në “arrest shtëpie”. Avokati Genci Gjokutaj tha se procesi do të jetë i zakonshëm për shkak se nuk është kërkuar gjykimi i shkurtuar për dy arsye.
Jepet vendimi/ Berisha me dhëndrin shkojnë në gjyq për dosjen ‘Partizani’
“Ne kërkuam pavlefshmëri për të gjitha aktet e marra nga gjyqtarja Irena Gjoka pasi nuk ka pasur kushtet për të qenë gjyqtare dhe vendimet e marra prej saj janë të pavlefshme. Kjo gjykatë na i rrëzoi pretendimet pa i argumentuar. Po kjo gjyqtare në rastin e cështjes Dako e ka kthyer për plotësim hetimi kurse në rastin konkret e çoi në gjyq.
Rama përmes agjencisë së tij GJKKO e realizoi këtë. Ne nuk e kemi kërkuar gjykimin e shkurtuar për dy arsye; e para se mungon fakti penal dhe kur ne konstatojmë akte të pavlefshme, gjykimi i shkurtuar është automatikisht i pavlefshëm. Kjo gjykatë këtë bërë, që i vleftësoi ato akte dhe i çoi në gjyq, por ne kemi leximin tonë të ligjit” tha ai.