Komuniteti Politik Evropian bën takimin e radhës në Tiranë. Ky komunitet, pavarësisht propagandës së ngritur rreth tij, është bazuar mbi një ide të vjetër. Ai është një “fëmijë” i ringjallur francez. Ideja e re e vjetër është ripaketuar në formë dhe shoqërohet me retorikë si arritje e madhe strategjike. Kjo është në interes të objektivit të politikës së jashtme të shtetit ideator dhe një numri të vogël shtetesh që u puqen interesat. Rëndësinë e tij do ta shqyrtoj më poshtë. Është shumë mirë që zhvillohen aktivitete ndërkombëtare në vendin tonë.
Ato ndihmojnë për imazhin e vendit, demonstrojnë se kemi kapacitete për organizimin e veprimtarive me këtë dimension, edhe tej mundësive tona reale dhe normale, japin siguri, shfaqin mikpritjen tradicionale. Këto janë të vërteta. Dimensioni ynë kërkon ndërkohë që të tregohemi entuziastë të ekuilibruar, mjaft modestë, që vendi të mos “kapet rob” i interesave individuale. Aktivitete të tilla, realisht, e kapërcejnë dimensionin tonë, sepse bien ndesh me nivelin, nevojat, hallet, punët e njerëzve dhe në analizë të hollë, edhe të vendit. Bllokohet shumëçka: puna, tregtia, biznesi, lëvizja, kontaktet, qarkullimi, aeroporti etj.. Le të kthehem te analiza e komunitetit. Është me interes të dihen disa mendime sensitive që kanë rëndësi për Shqipërinë. Dy institute për politikën e jashtme, që marrin porosi dhe furnizojnë me ide makinerinë franceze të politikës së jashtme, kanë bërë dy studime për këtë çështje. Ato nuk e shohin në dritë pozitive perspektivën e zgjerimit. Prandaj propozimi francez nuk më habiti, duke njohur dhe burimin e idesë. Presidenti francez artikuloi idenë e një “Komuniteti Politik Evropian” (KPE) për herë të parë në Parlamentin Evropian në Strasburg, më 9 maj 2022. Ideja e re, në një faqe A4, u paraqit në BE në fund të prillit 2022, u diskutua në COREPER II.
Nuk u mor asnjë vendim. U shënua se ideja mund të jetë interesante, por është herët, ka nevojë për studim dhe analizë të thelluar, të mëtejshme, të gjithë detajeve etj.. Arsyetohet entuziazmi i disa anëtarëve të BEsë, por nuk arsyetohet entuziazmi dhe nguti i vendeve kandidate, si ne. Kjo ide e nxjerr diskutimin jashtë kuadrit vetëm të BE-së, meqenëse aty ka pasur rezerva; zgjeron diskutimin duke përfshirë jo anëtarët, kandidatët, ata që aspirojnë si dhe ata që nuk aspirojnë për BE. Është më lehtë të bindësh kandidatët dhe aspirantët se “ideja është shumë e mirë”. Është më lehtë t’u thuash anëtarëve të BE-së që kanë rezerva se “ata të tjerët (për të cilët bëhet ky komunitet) janë dakord, i dëgjuat vetë, nuk ka pse të ngrini probleme, por duhet të jeni dakord”. Sot ende nuk është konfirmuar specifikisht me shkrim se “Komuniteti Politik Evropian nuk ndikon proceset e integrimit që kanë filluar dhe po ecin përpara me Shqipërinë”. Këshilli Evropian duhet ta bëjë këtë në deklaratën përfundimtare të një samiti.
Më 19 maj 2022, Presidenti francez tha se, “Propozimi për KPE është ‘komplementar’, jo ‘alternative’ për procesin e aderimit në BE”. Ajo fjali e përgjithshme duhet qartësuar dhe fiksuar mirë, në mënyrë eksplicite, me shkrim, jo me gojë, se “proceset e aderimit që kanë filluar nuk mundet dhe nuk do të ndikohen nga ideja/propozimi i ri”. Vetëm kjo do të bënte që çdo diskutim mbi atë ide në të ardhmen të mos ndikohej nga akrobaci skeptikësh zgjerim-shtyrës, por entuziastë dhe të “ngrohtë, të dashur”. Ishpresidenti francez, Mitterrand, u përpoq të krijonte një “shtysë” rreth idesë së një Konfederate Evropiane. I pari që pati hedhur zyrtarisht idenë për “shtete të bashkuara evropiane” ka qenë Viktor Hygo, në Kongresin e Paqes në Paris, 176 vjet më parë. Hygo ishte President i atij Kongresi. Disa fjali nga ai fjalim largpamës: “…Do vijë një ditë kur armët do bien nga duart tona. Do vijë një ditë kur lufta midis Parisit dhe Londrës, midis Peterburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, do të duket aq absurde sa duket sot midis Ruenit dhe Amienit, ose midis Bostonit dhe Filadelfias… Do vijë një ditë kur ne do të shohim këto dy grupe të mëdha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Evropës, do t’i zgjasin dorën njëri-tjetrit nga të dy krahët e detit, duke shkëmbyer produktet e tyre, artet e tyre, veprat gjeniale të tyre…”. Hygo pati vizionin e një shteti pan-evropian të kohës së tij, ndonëse larg asaj Evrope që kemi sot.
Shumë gjëra që pati thënë ishin krejt të sakta. Sot, sekret publik, disa në BE kanë qenë dhe mbeten hezitues për të lejuar ecuri në procesin e zgjerimit. Ky hezitim reflektohet edhe tek ideja apo propozimet e reja, përfshirë këtë komunitet “francez”. E parë hollë-hollë, ky hezitim mund t’i vijë për shtat ndonjë udhëheqësi në ndonjë vend kandidat. Dhe del pyetja: i intereson integrimi atij, e ka seriozisht, apo nuk e do integrimin, së paku as shpejt dhe as tani për tani, pavarësisht retorikës që përdor, është muzikë për veshët e Brukselit “globalist”. Ideja e re paraqet ndryshim të madh në vetë drejtimin e politikës evropiane, veçanërisht për një shtet. Prej vitesh, ai shtet ka treguar intransigjencë ndaj integrimit të shteteve të reja në BE. Kjo ka qenë dhe është e lexueshme, pavarësisht “paketimit dhe retorikës që përdoret”. Por, “nuk kemi lindur dje”, – thotë një shprehje!
Një përfaqësues i lartë i politikës së jashtme franceze për Ballkanin Perëndimor tha para një muaji (unë kam qenë prezent) se të integrosh një tjetër do të thotë të shtosh një anëtar plus me të drejtë vetoje! Nuk u besova veshëve! Por, të paktën Ballkanit Perëndimor, kësaj here, iu tha diçka copë, pa doreza! Pra, një BE me numër të rritur anëtarësh shihet se nuk mund të ofrojë zhdërvjelltësi koordinimi për çështje politike dhe të sigurisë, ndërkohë që vendet kandidate presin anëtarësim dhe BE flet për reformën e saj. Kjo do të thotë se integrimi, anëtarësimi do kërkojë vite të tëra, siç ka ndodhur shpesh! Kuadri brenda BE-së bëhet edhe më i komplikuar. Stadet për të vlerësuar progresin e një vendi drejt integrimit janë të përcaktuara qartë në dokumentacionin e BE-së (Traktati i BEsë, nga artikulli 2, 49, etj.). Bisedimet fillojnë me MSA, nënshkrimin e saj, futjen e saj në fuqi; më pas statusi i kandidatit potencial, më pas i kandidatit të plotë; pas saj, Konferenca e 1-rë Ndërqeveritare hap negociatat, pas saj bëhet analiza e parë e përgjithshme e situatës për kapitujt (“screening process – shqyrtimi analitik”). Pas përfundimit të këtij shqyrtimi, Komisioni paraqet raportin për të në Këshill.
Ky i fundit merr vendimin unanim për hapjen e negociatave për grup-kapituj dhe kapituj të veçantë. Brenda BE-së, stadet janë pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; statusi kandidat është stad i ndërmjetëm në rrugën drejt anëtarësimit, dhe shoqërohet me harmonizimin me acquis. Jashtë BE-së, ecet në kuadër të Këshillit të Evropës. Ideja bart rrezikun e ecjes drejt një Evrope jo me dy, por me shumë shpejtësi dhe me “disa marshe”. Kjo le hapësirë jo të vogël për konfuzion edhe më të madh. Ideja e komunitetit bart rrezikun që anëtarësia e një vendi në Komunitet të mos jetë hap tranzitor drejt anëtarësisë në BE, por të jetë stacioni i fundit! Mbetesh aty! Nuk ka gjë më permanente se e përkohshmja! Përpjekje që vendet të mbahen në “distancë sigurie”. Më specifikisht: Shqipëria ka nisur procesin integrues 25 vjet më parë. Ky komunitet nuk mund të jetë për Shqipërinë. Ndoshta ai mund të jetë diçka sipërfaqësore për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, që kanë nisur rrugën dy vite më parë. Duket se ato kanë marrë peng integrimin tonë! Nuk ndërrohen kuajt në mes të lumit! Ideja e komunitetit propozon një status hibrid. Kjo nuk sjell asgjë të re, veçse komplikon më shumë punët. Vendet në këtë Komunitet mund të ndahen në disa kategori:
-Vende anëtare të BE-së, ndër to edhe skeptikë që duan të shtyhet procesi, mundësisht dhe të mbesë në mes të rrugës, dhe disa vende që e duan zgjerimin.
– Vende që, për arsyet e tyre, përfshirë kushtetuese, nuk kanë zgjedhur rrugën e hyrjes në BE, por të bashkëpunimit në disa sektorë si partnerë të BE-së (Anglia, që sot duket se po përpiqet të rihyjë gradualisht, Norvegjia, Zvicra).
– Vende që legjitimisht duan të hyjnë në BE, përfshirë Shqipërinë! Nëse plotësohen kriteret e Kopenhagenit, vende si Shqipëria duhen ndihmuar që të hyjnë në BE. Nuk ka pse bëhen lojëra, nuk ka pse nuk thuhet e vërteta, duke i bërë “për budallenj” të tjerët, duke u ofruar dhe dhënë status hibrid, si ky komunitet.
-Vende që nuk dihet a mund të hyjnë dhe kur, nëse do hyjnë, për arsye të ndryshme gjeopolitike, ushtarake, gjendje lufte, armiqësie, territoriale etj..
Fuqia atraktive e modelit të BE-së po dobësohet, procesi është bërë i thyeshëm, dëshira për të qenë pjesë e BE-së do bjerë, shtetet do ndjehen të refuzuara, të përzëna, viktima të standardeve të dyfishta! Nuk shfaqet kudo dhe kurdo respekt për marrëveshjet, nuk përdoret i njëjti standard për të gjithë, ka trajtime preferenciale, ka fërkim supesh dhe premtime! Rrezikohet humbja e vokacionit pro-perëndimor, proevropian që është demonstruar nga Shqipëria dhe shqiptarët.
Në situatën gjeopolitike, të pasigurisë, paqartësisë, kur acarimet rriten frikshëm dhe jetohet nën retë e errëta të konfliktit, për BE-në hapet derë mjaft e rrezikshme nëse nuk hiqet dorë nga pozicione të dështuara. Komuniteti vërteton hezitimet e ndonjërit në BE për zgjerimin. Bartet rreziku i çeljes së lojërave të tjera gjeopolitike; u jepet hapësirë lojtarëve të tjerë, krijohen boshllëqe që mund të mbushen prej tyre dhe nuk përjashtohet të mbushen, gradualisht. Para se të thuhet “po, me kënaqësi, dakord, pse jo, e mbështesim”, etj., çdo ide e re dhe propozim i ri, çdo hap, duhet të sqarohet hollësisht në detaje. Duhet bërë analizë dhe ndarje serioze, e argumentueshme ndërmjet vendeve. Nuk është as lehtë, as e thjeshtë, as pa pasoja, nëse dhe kur vendet grupohen dhe mbahen bashkë. Është gabim gjeopolitik, miopi e madhe e BE-së që po bën këtë gjë duke dhënë mesazhin e gabuar!
Në Evropë ka shumë struktura. Evropa nuk ka nevojë për struktura të reja. Le të argumentohet çfarë mungon sot në arkitekturën e strukturave në Evropë që e ka bërë të domosdoshme këtë komunitet. Çfarë të reje ka sjellë komuniteti që nuk përfshihet në “menynë” e strukturave ekzistuese? Si qëndron ky ‘komunitet’ në raport me strukturat ekzistuese? Çfarë çështjesh nuk mbulohen sot nga strukturat ekzistuese që plotë sohen nga ky “komunitet”? Cilat struktura do të zëvendësojë ose do të plotësojë ky komunitet? Cilat janë procedurat e ngritjes së këtij komuniteti? Cili ka qenë forumi përgatitor për të? Cili është “statuti” i këtij komuniteti? Çfarë statusi ka ky komunitet? Cilat janë aspektet themelore të fokusit të mandatit të komunitetit? Si janë miratuar ato? Mbi çfarë baze është vendosur anëtarësia: gjeografikisht, nga ku deri ku dhe përse, politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht, ligjërisht? Si dhe ku, mbi çfarë rregullash, është diskutuar statuti, mandati, nëse ka një të tillë? Si është bërë votimi për to dhe, në vijim, si bëhet votimi për çështjet që diskutohen? Çfarë ka dalë nga 4 samite? A ka konkluzione një samit dhe nëse ka, a janë të zbatueshme dhe cili ka qenë impakti i zbatimit të tyre deri tani? Cili është forumi drejtues i komunitetit, nëse ka një të tillë dhe si është zgjedhur ai? Si është vendimmarrja në komunitet, konsensuale apo me shumicë, të thjeshtë apo të kualifikuar, etj., etj.?
Çështja është delikate. Do shumë kujdes, pa ngutje, pa entuziazëm, përfshirë propagandën për publikun. Hyhet në një rrugë pa krye nga ku nuk mund të dalësh më vonë, edhe mund të pendohesh, por mund të jetë vonë! Nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me interesa politike, me strategji dhe objektiva politike të caktuara të disa shteteve. Ato duhen njohur mirë. Propozimet e reja as duhen pranuar dhe mbështetur, as kundërshtuar, nga një apo disa njerëz. Para se të merren vendimet për to, nevojitet studim dhe thellim, konsultim intensiv i gjerë, me ekspertë, njohës të mirë të politikës ndërkombëtare, të institucioneve ndërkombëtare, të interesave të shteteve. Ish-presidenti i Këshillit iu referua Shqipërisë si “vend i asociuar”. Sipas tij, Shqipëria do të jetë në tryezën e BEsë, por nuk do jetë shtet anëtar. Ide tepër hileqare që duhej kundërshtuar në vend! Traktatet e BE-së nuk kanë status të shtetit të asociuar. Duket se synimi ka qenë të fillonte një eksperiment origjinal duke ulur nivelin e integrimit në një status shumë më të ulët, praktikisht duke ecur mbrapsht drejt një lloj “disintegrimi”!
Përtej eufemizmit, ose një triku terminologjik, nuk duhet përjashtuar se mund të fshihet objektivi i mbylljes së derës për anëtarësi në BE! Më sipër shënova stadet dhe statuset. Statusi i asociuar, pasi ke fituar statusin e kandidatit të plotë, jo vetëm që mbyll derën e anëtarësimit në BE, por është edhe shumë fyes! Disa duan që kontinenti evropian të ketë dy shtëpi politike: njërën për të pasurit, të fortët, për vendet komanduese, dhe tjetrën për më të varfrit, ata që duhet vetëm të binden(?!). Dy kahe, dy kategori vendesh, një ide e rizbuluar, e rilindur! Shqipëria nuk mund të vendoset kurrsesi në të njëjtën shinë, nivel, rrugë me ndonjë vend tjetër që ka bërë letrat dhe hapat e parë, përfshirë Ukrainën. Shqipëria nuk mund të ndërrojë linjën, rrugën për në BE dhe vendimin e saj në këtë drejtim. Ajo ka të drejtë dhe detyrë të shprehet në mbrojtje të interesave të saj. Shqipëria ka qenë historikisht, prej mijëra vjetësh, në Evropë. Ajo është dhe do të jetë aty. Këtë nuk ia vendosin dot, as ia përcaktojnë, drejtues të cilitdo vendi në BE. Pakujdesia, entuziazmi, interesi individual politik mund të sjellë implikime për Shqipërinë. Vihet në balancë çka ka ndodhur në dekadat e shkuara dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Në kontekstin gjeopolitik sot, Shqipëria mund të privohet nga integrimi real institucional në BE edhe falë këtij komuniteti. Kjo do të ketë kosto shumë të lartë psikologjike dhe politike për shoqërinë tonë dhe Ballkanin Perëndimor! Ku shkuan premtimet që BE i bëri Ballkanit Perëndimor në Selanik në fillim të këtij shekulli? Kur nuk je në gjendje të mbash premtimet, më mirë mos bëj premtime! Prioritetet kanë ndryshuar, pavarësisht ngritjes retorike; mungon vullneti i mirë! Ky komunitet kurrsesi nuk duhet të jetë alternativë për anëtarësi në BE. Kjo duhet shprehur specifikisht dhe qartë, me shkrim, nga BE për Shqipërinë. Ky komunitet nuk është BE dhe nuk duhet ngatërruar me të. Ndryshe, vetë BEja minohet në sytë e atyre që aspirojnë dhe kanë vite që punojnë për të hyrë në BE. Shqiptarët kanë punuar për dekada që të mos shihen dhe trajtohen si “qytetarë të dorës së dytë” në mekanizmat dhe territoret e BE-së. Një status i nivelit të dytë, një grupim i dytë, apo një i dytë çfarëdo, përveç anëtarësisë në BE, nuk është opsion i pranueshëm.
Autori, ish-kryenegociator me BE