Ministri Igli Hasani ka mikëpritur sot Ministren për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre. Ata diskutuan rreth konteksteve gjeoplotike, sfidat e sigurisë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Ky hap përbën një tjetër fazë të rëndësishme në procesin tonë të negociatave për anëtarësim në BE – një proces në të cilin Shqipëria jo vetëm po ecën në rrugën e duhur, por po shpejton me siguri, duke i qëndruar edhe objektivit madhor: që brenda këtij viti çelim edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027-të i përfundojmë negociatat duke pasur 2030-tën si pikën më të fundit kur Shqipëria ulet si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e vlerave të Bashkimit Evropian”, tha Hasani.
Ai shprehu edhe mirënjohjen ndaj mbështetjes daneze për integrimin evropian të Shqipërisë.
“Ne jemi besimplotë se nën udhëheqjen e Danimarkës, procesi i zgjerimit do të vazhdojë të qëndrojë lart në agjendën e BE-së”, tha ministri Hasani.