Memoriali i Ilaria Sulës, e cila u vra nga ish i dashuri i saj është vendosur në Capranica Prenestina, në vendin ku u gjet i pajetë trupi i saj. Nëna Gëzime dhe babai Flamur kanë shkruar disa fjalë në memorial në kujtim të vajzës së saj.
“Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh, do të kthehesh dhe nuk do të më shohësh, por unë do të jem aty.”, shkruhet aty.
“Faleminderit të gjithëve, Bashkisë dhe kryetarit të bashkisë Capranica Prenestina me zemër të madhe për gjithçka që u lejua të bëhej për vajzën time Ilaria”, komentoi babai i saj Flamur Sula.
Në përurim ishte edhe kryetari i bashkisë së Capranicas, Francesco Colagrossi.
“Kjo hapësirë që shikon drejt horizontit dhe nga e cila në ditët më të kthjellëta, kur era e veriut i largon retë, mund të shohësh detin, do të jetë vendi i kujtimit tënd, Ilaria e ëmbël, dhe do të na çojë të reflektojmë mbi kuptimin e jetës, mbi vlerën e saj, mbi mënyrën se si të mbrohemi nga një dashuri e sëmurë dhe shkatërruese”, tha kryebashkiaku.