Kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri të ditur se opozita ka shpërndarë një raport në kancelaritë perëndimore për të denoncuar, sipas tij, farsën elektorale të 11 majit. Ai tha se PD po sensibilizon ndërkombëtarët për shkeljet gjatë fushatës dhe ditës së votimit. Berisha akuzoi gjithashtu dy zëvendësdrejtorë të SHISH për bashkëpunim me ish-agjentë të Sigurimit në mbështetje të PS-së.
Asnjë letër nuk është dërguar. Letra është letër, raporti është raport. Është një raport paraprak, që është shpërndarë në një numër adresash në Europë dhe SHBA. Një raport fare paraprak, i cili nuk ka asnjë gjë tjetër përveçse këtyre që u them unë këtu, asnjë paragraf, asnjë rresht tjetër. Ne po sensibilizojmë komunitetin ndërkombëtar për farsën zgjedhore që ndodhi me 11 Maj. Ky është objektivi i punës tonë dhe ne do ia dalim. Pavarësisht nga rrethanat, por askush nuk mund të shkelmojë parimet themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat u shkelën së bashku me vullnetin e qytetarëve shqiptarë në mënyrën më të pamëshirë…
…E kam deklaruar unë që dy zëvendësdrejtorët e shërbimit sekret kanë marrë detyrë, unë mund të thosha drejtoresha, por jo, nuk them për atë, janë dy zëvendësdrejtorët që kanë marrë të gjithë regjistrat dhe kartelet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, aq sa kanë mbetur, se një pjesë nuk janë, dhe i kanë aktivizuar, në kundërshtim me çdo ligj. E kam thënë publikisht këtë. Unë e kam thënë këtë fill pas zgjedhjeve. Nuk ka asnjë sekret ndaj jush, shprehet ai