Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka nxjerrë të dhënat ku sipas tij zarfet e diasporës janë plotësuar nga patronazhistët. Berisha tha se dora e zezë shqiptare është një nga faktorët e tjerë që u shtri mbi votën e diasporës.
“DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, që kanë bashkëpunuar ngushtë me PS. DHL u pranua nga ne për shkak të reputacionit të saj, por segmenti shqiptar i DHL funksionoi sipas urdhrave të qeverisë dhe të Edi Ramës. Zarfet, votat nuk u mbushën nga qytetarët e regjistruar, por ato në mijëra prej tyre u plotësuan nga patronazhistë nga Tirana, nga punonjës a ish punonjës ambasadash dhe solli një manipulim të dalë jashtë kontrollit. Ndër të tjera, dora e zezë e Postës Shqiptare është faktor që u shtri në votën e diasporës. Ky është një proces i kriminalizuar në shkallën më të lartë, që kurrë nuk do njihet e nuk do pranohet”, tha Berisha.








