Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten një person, i cili akuzohet për kanosje të zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë të institucioneve të Kosovës.
Pas një operacioni ku janë përfshirë disa njësi policore, gjatë kontrolleve në një banesë në Prishtinë, u bë e mundur arrestimi i të dyshuarit dhe sekuestrimi i disa pajisjeve, si laptop, tablet dhe telefon.
Dyshohet se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve.
Mes personave të kërcënuar nga ky person është edhe Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë në Kosovë dhe kandidate e Vetëvendosje për postin e kryetares së Parlamentit të ri.