Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për manipulim të votave të diasporës gjatë procesit të zgjedhjeve. Ai ka hedhur poshtë pretendimet për ndonjë abuzim, duke siguruar se çdo fazë e procesit ka qenë e monitoruar dhe e mbikëqyrur nga përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile. Sipas Celibashit, gjithçka ka shkuar sipas procedurave, dhe nuk ka pasur as fletë të shtuara dhe as vota të trafikuara.
“Është me rëndësi ta theksoj, të gjitha partitë politike e dinë këtë, që procesi i përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor në Parkun Olimpik, dorëzimi i dokumentacionit tek operatori i shërbimit postar, është një proces që garanton 100% integritetin e procesit të votimit nga jashtë. Kjo vlen edhe për rastin e kthimit të dokumentacionit zgjedhor nga DHL tek KQZ. Gjithë ky segment është zhvilluar nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile. Ka qenë 24.7 i monitoruar nga kamerat. Çdo gjë ka shkuar siç duhet të shkonte, nuk ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara. Ngelet të vlerësojmë pretendimet që lidhen me sa është respektuar integriteti i votës së shqiptarëve në procesin e marrjes së fletëve të votimit dhe të kthimit të tyre nëpërmjet shërbimit postar.”
/5pyetjet.al