Ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca gjyqësore për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Ai u vra nga bashkëmoshtari i tij Mario Përlleshaj pranë shkollës Fan Noli në Tiranë.
Mësohet se janë marrë në pyetje pesë të mitur si dëshmitarë, ku kanë qenë prezentë prindërit dhe një pskologe. Gjithashtu prokurorja Alma Felaj ka debatuar me prindërit e Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur.
Prindërit e Luisit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe më pas babai është larguar nga salla. Raportohet se debati ka nisur për një rast para vrasjes ku Martini dhe Luisi kishin qenë duke luajtur futboll në Kavajë dhe në kthim janë shoqëruar nga prindërit e Luisit.
Për këtë është biseduar nëse ata kanë debatuar në celular me autorët e ngjarjes. Prokurorja është shprehur “mbase prindërit kanë qenë në gjumë”.
Babai i Luisit ishte shprehur: “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë”. Më pas është larguar nga salla.
Ndërkohë seanca e radhës është caktuar me 28 maj, ku do të pyeten edhe 8 dëshmitarë të tjerë të mitur.