Kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi sot manipulimet me zgjedhjet në një fshat të Peqinit, ku sipas tij në një lokal janë gjetur fletë votimi me vulë dhe lista zgjedhësish. Këto dhe shumë të tjera, tha Berisha rrëzojnë procesin e 11 Majit. Për këtë arsye, Sali Berisha u rikthye tek kërkesa për qeveri teknike, që kishte disa muaj para zgjedhjeve.
“Kjo është fytyra e vërtetë e Ramës dhe këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen. Ka vetëm një zgjidhje, krijimi i qeveri teknike, zgjedhje të reja, që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë.
Kemi qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale dhe ne duam që shqiptarët të votojnë dhe të mos vuajnë farsën elektorale.
Unë ju them ju se do të shihni, kuti votimi, në të cilat 200 fletë njëra pas tjetrës kanë të njëjtën palosje. Ose është ‘treni bullgar’ që është e njëjta gjë pastaj” tha Berisha.