Qeveria “del” në tregun ndërkombëtar për trenat dhe kompaninë private që do të operojë linjat. Shqipëria parashikon që këtë vit të hapë garën ndërkombëtare për të siguruar çiftet e para të trenave që do të vihen në funksion në linjat hekurudhore që janë në ndërtim, por përpara kësaj ka nisur atë që quhet si “market teaser”.
Duket se përveç trenave, ajo që po kërkohet është një kompani me përvojë që do të operojë këto linja të cilat do të ofrojnë shërbim për pasagjerët.
Hekurudha Shqiptare e nisi këtë proces duke ftuar investitorët e interesuar nëpërmjet një dokumenti që bën të qarta kërkesat specifike që duhet të kenë trenat në fjalë, linjat potenciale të rrjetit hekurudhor sipas projekteve tashmë të prezantuara.
Por, i vetmi që ka avancim më të madh është Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas, si dhe mënyra sesi është menduar parku i mirëmbajtjes që do të vendoset në Shkozet.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) është duke zhvilluar një konsultim paraprak të tregut, për të vlerësuar interesin dhe për të mbledhur komente nga operatorët potencialë dhe aktorë të tjerë të industrisë lidhur me një kontratë të ardhshme shërbimi hekurudhor publik (PSC) për ofrimin e shërbimeve të transportit hekurudhor të pasagjerëve në Shqipëri.
Ky dokument i konsultimit paraprak synon të ndihmojë në formësimin e strukturës dhe përmbajtjes së mundshme të një kontrate të ardhshme për shërbim publik për hekurudhën, duke mbledhur informacione nga pjesëmarrësit e tregut dhe aktorët e interesuar. Objektivi është rritja e transparencës dhe konkurrencës në përgatitjen e një procedure tenderimi”, thuhet në dokument.
MIE shprehet se Shqipëria ka 677 kilometra rrjet hekurudhor ku shumica është në një gjendje që kërkon modernizim dhe ndërhyrje serioze. Tre janë linjat kryesore. E para është Tiranë-Durrës, që sipas dokumentit pritet të përfundojë në 3-mujorin e tretë të 2026-s.
E dyta, Vorë – Hani i Hotit që parashikohet të jetë modernizuar tërësisht deri në fund të 2030. Linja e tretë është Durrës – Rrogozhinë – Pogradec që do të zbatohet gjatë 2028-2031. Aktualisht po modernizohen stacionet e trenit dhe pritet që të prokurohet edhe qendra e mirëmbajtjes.(kliko KËTU për më shumë)