Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur mëngjesin e së dielës zonën pranë qytetit Koblenz në Gjermani, ku tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur teksa një grup shqiptarësh po ktheheshin drejt banesës pas pjesëmarrjes në një festë familjare. Të gjithë ndodheshin në një minibus, i cili, për shkaqe ende të paqarta, ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur disa herë.
Nga përplasja e fortë, kanë ndërruar jetë një burrë 53-vjeç dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë, të moshës nga 20 deri në 66 vjeç, janë plagosur dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet gjermane raportojnë se drejtuesi i mjetit, një 22-vjeçar shqiptar, nuk rezultoi nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike, por hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë.