Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë qytetit Koblenz në Gjermani, ku kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Sipas informacionit nga autoritetet gjermane, të cilin e ka marrë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, aksidenti ka ndodhur në një segment të rrugës pranë Koblenzit dhe po hetohen rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.
Ambasada e Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe po ndjekin nga afër situatën. Strukturat konsullore shqiptare kanë ofruar ndihmën e nevojshme për familjet dhe të gjithë personat e përfshirë.
Nga ana e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit vazhdojnë.