Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në lagjen Kordhocë të njësisë administrative Lazarat, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me barëra të thata. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke rrezikuar disa banesa pranë zonës së djegur dhe duke shkaktuar panik mes banorëve.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të MNZ Gjirokastër, të cilat konstatuan se zjarri kishte marrë përmasa shqetësuese.
Aktualisht, zjarrfikësit po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës së zjarrit dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm ndaj banesave dhe sigurisë së qytetarëve.
Nuk raportohen të lënduar deri në këto momente, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të situatës.