-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Evarist Beqiri: Shqipëria që duam dhe politika që duhet

Kryesoret

Thuhet se “politika dhe fati i njerëzimit formësohen nga njerëz pa ideale e madhështi. Ata që mbartin madhështi brenda vetes nuk hyjnë në politikë.” Ky nuk është vetëm një vëzhgim i kthjellët filozofik – është një sfidë morale që prek thellësisht edhe realitetin e sotëm shqiptar.

Kultura politike në Shqipëri ka krijuar mekanizma që përjashtojnë ose dekurajojnë pjesëmarrjen e njerëzve me formim e duhur, me moral të konsoliduar dhe me përkushtim ndaj interesit publik. Shumë nga këta individë nuk përfshihen në politikë. Pse?! Jo për mungesë interesimi për fatin e vendit, por për shkak të neverisë që prodhon realiteti i një politike që shpërblen konformizmin dhe klientelizmin, jo vlerat dhe kontributin.

Zgjedhjet e 11 majit janë pas nesh. Fitorja e PS është fakt politik, por ajo nuk mund të fshehë një të vërtetë më të thellë: pjesëmarrja qytetare, niveli i besimit ndaj aktorëve politikë dhe cilësia e përfaqësimit janë gjithnjë e më të brishta. Vendi mbetet ende i mbërthyer nga mungesa e alternativës së vërtetë, nga dualizmi i një skene që rrotullohet rreth konflikteve të vjetra dhe jo rreth ideve të reja.

Shqipëria ka nevojë për një rifillim serioz, për një model të ri përfaqësimi, për një qasje më qytetare, më profesionale dhe më të ndershme ndaj politikës dhe shtetit. Zgjedhjet e 11 majit 2025 mbyllën një fazë të tensionuar politike dhe hapën një cikël të ri sfidash për shtetin shqiptar. Më shumë se rezultati i numrave, ajo që duhet të na shqetësojë sot është çfarë Shqipërie po ndërtojmë dhe si do të qeveriset ajo në katër vitet e ardhshme.

Një gjë është e qartë; fakti se qytetarët shqiptarë kërkojnë stabilitet institucional, ekonomi të fortë dhe drejtësi funksionale. PS ka marrë një mandat të qartë për të ecur përpara – por jo për të qeverisur si më parë. Ky mandat kërkon përgjegjësi, maturi dhe ndryshim të pakthyeshëm.

Avantazhi strategjik i mazhorancës është tashmë i njohur, dhe duhet pranuar se PS dhe Kryeministri Rama kanë ditur të menaxhojnë disa reforma kyçe – nga drejtësia, te infrastruktura dhe investimet strategjike. Por nuk mjafton thjesht që të qeverisësh me sukses teknik; kërkohet vizion institucional dhe etikë politike.

Opozita, nga ana tjetër, duhet të bëjë autokritikë të thellë dhe të rigjejë veten si alternativë serioze. Shqipëria ka nevojë për opozitë të denjë, jo vetëm për zhurmë. Sot, Shqipëria ka nevojë për një pakt të ri institucional, ku forcat politike të vendosin në qendër qytetarin, shtetin dhe besimin; duke menduar përtej interesit vetjak.

Shqiptarët kërkojnë ndryshimin, jo thjesht si rotacion pushteti, por si kulturë të re qeverisjeje. Rezultatet dhanë një mandat të qartë për vazhdimësinë politike të Partisë Socialiste, e cila mbajti avantazhin strategjik të ndërtuar ndër vite. Ndërkohë, opozita vijon të vuajë sepse nuk frymëzon.

Kryeministri Rama ka deklaruar shpesh se reforma në drejtësi dhe rilindja e institucionale janë arritjet më të rëndësishme të qeverisjes së tij. Duhen pranuar këto përparime, por edhe duhet theksuar se tani fillon prova më e vështirë: ndërtimi i shtetit, i cili nuk matet me kilometra rrugë apo me shifra statistikash, por me përkushtimin ndaj barazisë, ligjshmërisë dhe etikës.

Fuqia politike pa moral institucional është e rrezikshme, po aq sa është e dëmshme edhe kritika pa përgjegjësi. Ne kemi nevojë për një politikë që udhëhiqet nga virtyti dhe racionaliteti, jo nga tribalizmi dhe konfliktualiteti. Për këtë arsye, besoj se koha kërkon bashkëpunim mbi baza parimore, jo pazare të vjetra politike. Kjo kërkon integritet dhe ide për të ndërtuar shtetin e së nesërmes, jo thjesht për të administruar pushtetin e së tashmes.

Zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë më shumë se një rezultat numerik. Ato janë një referendum për stilin e qeverisjes, cilësinë e opozitës dhe, mbi të gjitha, për pritshmëritë e qytetarit që kërkon më pak spektakël dhe më shumë shtet. Për herë të parë pas dekadash polarizim, mund të shohim një dritare për riformatimin e marrëdhënies së qytetarit me institucionet. Mesazhi i votuesit është i qartë: duam institucione funksionale, mirëqenie reale, drejtësi që vepron e jo që flet, dhe mbi të gjitha, një qeverisje që ndjek parimin e përgjegjshmërisë, jo të vetëkënaqësisë.

Partia Socialiste fitoi një mandat tjetër besimi, por edhe një barrë më të rëndë pritshmërish. PS ka mundësinë të tregojë se pushteti nuk është pronë, por mjet për të ndërtuar një shtet modern, funksional dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkohë, opozita e çartur, vijon me retorikën e vjetër. Shqipëria nuk ka nevojë për liderë që përçajnë, por për ndërtues urash. Jemi në një pikë kthese historike për shtetin shqiptar. Shqipëria ka nevojë për politikë që prodhon standarde të reja. 11 maji është një dritare reflektimi. Ata që fituan kanë barrën e përgjegjësisë. Ata që humbën kanë detyrimin të ripërtërijnë veten, jo të përsërisin vetveten. Shqiptarët kanë nevojë për një politikë që nuk është as e butë, as e ashpër, por e drejtë.

Shqipëria ka nevojë për më shumë sesa një qeverisje të mirë. Ajo ka nevojë për një orientim të ri politik, që të mos jetë peng i konflikteve të vjetra, as rob i retorikës boshe. Ne duhet të luftojmë për një Shqipëri që ecën përpara përmes meritës dhe zhvillimit, jo një Shqipëri që bllokohet në cikle vetëshkatërrimi, ku pushteti dhe interesi personal është qëllim në vetvete.

Unë besoj se qytetarët shqiptarë janë më të vetëdijshëm dhe më të uritur për ndryshim sesa politika e vjetër pranon. Ata e dinë se vendi ka talente, profesionistë, ide dhe potencial – por mungon vullneti politik për t’i çuar përpara. Ky vullnet nuk mund të lindë nëse nuk sfidohet status kuo-ja.

Politika nuk duhet parë si një klub i mbyllur. Ajo është një fushë beteje për ide të reja, qasje të ndershme, dhe angazhim publik të njerëzve që nuk kanë qenë pjesë e korrupsionit apo pazareve të tranzicionit. Zgjedhjet mbaruan, por sfidat e mëdha për drejtimin politik, institucional dhe moral që duhet të marrë Shqipëria në vitet që do të vijnë, sapo kanë nisur. Ky nuk është vetëm momenti i partive, por mbi të gjitha i qytetarëve që kërkuan më shumë sesa rotacion – ata presin transformim.

Në këtë udhëkryq, si njeri që ka i shërbyer shtetit, që analizon politikën dhe që beson në fuqinë e meritokracisë, më duket e domosdoshme të nënvizoj tre të vërteta:

Së pari, Shqipëria ka nevojë për një rifokusim të politikës drejt performancës dhe meritës. Ky vend nuk mund të përparojë nëse elitat politike nuk japin llogari dhe nëse administrimi i shtetit mbetet i ndarë nga interesat reale të qytetarëve. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për përfaqësues që dinë të dëgjojnë, që punojnë për reformim, jo për retorikë të zbrazët.

Së dyti, kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që kemi dhe që shpërdorohet më lehtë se çdo burim tjetër. Shumë profesionistë, të rinj të arsimuar, burra e gra me potencial të jashtëzakonshëm, mbeten jashtë sistemit. Sepse politika nuk e njeh meritën, nuk e kërkon dhe shpesh as nuk e duron. Ky është mëkati kombëtar që duhet ndalur.

Së treti, bashkëpunimi politik nuk duhet të jetë tabu, por as alibi. Shqipëria nuk ndërtohet me “me ne apo kundër nesh”, por me marrëveshje të qarta për reforma, drejtësi, zhvillim dhe ndershmëri. Politika nuk vlerësohet nga aleancat që bën, por nga vlerat që mbron.

Unë besoj se pas 11 majit kemi një mundësi të re për të rilindur besimin te politika si shërbim, jo si përfitim. Për ta realizuar këtë, kërkohet vizion, qartësi, përkushtim – dhe mbi të gjitha guxim për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo nuk na pëlqen.

Vendi ka nevojë për një brez të ri lidershipi, jo domosdoshmërisht në moshë, por në kulturë politike. Një brez që mendon për të ardhmen, jo për pazaret e së shkuarës; që ndërton ura dhe jo mure; që bashkëpunon me njerëz të ndryshëm, pa mohuar bindjet e veta. Kjo është rruga që nuk ditën ta ndjekin asnjë nga partitë e reja dhe të vjetra opozitare. Ato treguan se e duan veten dhe partinë më shumë se sa Shqipërinë. Ato nuk arritën që të vendosin standardet përpara interesave personale. Retorika boshe, e la mënjanë punën konkrete. Besimi ndërtohet me vepra, jo me fjalë boshe.

Ne duhet të ndryshojmë vetveten, nëse duam që Shqipëria të mos ngecë në rrethin vicioz të zhgënjimit dhe ikjes. Duhet të kuptojmë se politika ka nevojë për njerëz me ideale, jo me interesa. Ka nevojë për ata që e kanë treguar përkushtimin e tyre në jetën reale, përpara se të kërkojnë një pozicion publik. Ka nevojë për një ndryshim thelbësor të mënyrës se si e mendojmë përfaqësimin: jo si privilegj, por si përgjegjësi.

Unë besoj fort se Shqipëria ka njerëz të mrekullueshëm, brenda dhe jashtë vendit, që mund të japin një kontribut vendimtar. Por kjo nuk do të ndodhë vetvetiu. Duhet një mendësi e re, e bazuar mbi idenë se etika dhe kompetenca nuk janë opsionale në politikë – janë themeli i saj.

Në 11 maj pamë sërish Shqipërinë që votoi dhe Shqipërinë që heshti. Më tepër se gjysma e votuesve qëndruan në heshtje. Ky është një mesazh i qartë: një numër i konsiderueshëm qytetarësh nuk ndihen të përfaqësuar nga ofertat politike aktuale. Ata nuk refuzuan demokracinë, por alternativat që u ofruan. Kjo është Shqipëria e zhgënjyer, që kërkon një tjetër model drejtimi – më të ndershëm, më të urtë dhe më të guximshëm.

Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 11 majit nuk ishte as surprizë, as rastësi. Ishte një pasqyrë e qartë e një realiteti të dhimbshëm: shumica e shqiptarëve nuk besojnë në sistemin politik ekzistues. Sepse, në vend të alternativës reale opozitare, ne pamë një riciklim emrash të vjetër dhe sloganesh bosh. Në vend të përfaqësimit, pamë një garë për pushtet, që nuk ka aspak të bëjë me interesin kombëtar.

Shqipëria ka potencial, ka njerëz të aftë, ka energji për ndryshim. Por, forcave opozitare ju mungon një platformë politike që flet me gjuhën e shpresës dhe guximin e veprimit. Ato nuk ishin të afta të ndërtonin një projekt politik që lind nga përvoja, por drejtohet nga idealet. Jo për të zëvendësuar një kastë me një tjetër, por për të çliruar politikën nga mendësia e mbijetesës dhe për ta kthyer atë në mjet të zhvillimit të vendit. Në këto zgjedhje shqiptarëve ju mungoi sërish një opozitë e besueshme.

Partia Socialiste fitoi betejën elektorale, por kjo nuk e përjashton atë nga përgjegjësia politike për të reflektuar. Qeverisja e gjatë është një privilegj që rrallëherë i shërben risisë, dhe rrallëherë toleron kritikat. Rreziku që buron nga vetëkënaqësia dhe mbyllja në një “kullë të fildishtë” të shkëputur nga realiteti është real.

Opozita e dërrmuar vijon që të mbetet në krizë legjitimiteti dhe lidershipi. Pavarësisht se e hoqën qafe liderin gjumash dhe u rikthyen te lideri që nuk fle fare, humbja ishte e hipotekuar. Lidershipi nuk matet me orarin e zgjimit dhe të rënies për gjumë. Lidershipi matet me aftësinë për të ndikuar dhe frymëzuar njerëzit. Ky është momenti për një riorganizim të thellë, për reformim, për hapje ndaj figurave të reja. Tani është koha e vendimeve. Ata që dështuan duhet që të largohen nga skena. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i një tranzicioni të pafund që vret shpresën, zhvillimin dhe dinjitetin e qytetarëve të saj…

  • Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit