Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj homologut rus Vladimir Putin pas një sulmi masiv ajror që Rusia ndërmori ndaj Ukrainës, ku humbën jetën të paktën 12 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Në një deklaratë të bërë nga New Jersey, Trump ka shfaqur hapur pakënaqësinë e tij për veprimet e fundit të Moskës dhe ka paralajmëruar se SHBA mund të tërhiqet nga negociatat për paqe nëse situata nuk ndryshon.
“Çfarë dreqin po ndodh me të? Po vret shumë njerëz”, tha ai, duke e quajtur më pas Putinin “krejtësisht të çmendur”.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi ashpër qëndrimin e heshtur të Uashingtonit, duke thënë se kjo mungesë reagimi “po e inkurajon Putinin” dhe kërkoi sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump vijoi me fjalët:
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putin e Rusinë, por diçka i ka ndodhur. Është çmendur plotësisht! Po vret shumë njerëz pa nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po qëllohen në qytete në Ukrainë, pa asnjë arsye. Gjithmonë kam thënë se ai e do TË GJITHË Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e drejtë, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë”.
Trump nuk kurseu as Zelenskyn:
“Po kështu, Presidenti Zelensky nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në atë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen, dhe më mirë të ndalet. Kjo është një luftë që nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha President. Kjo është lufta e Zelensky-t, Putinit dhe Bidenit, jo e ‘Trump’. Unë vetëm po ndihmoj në shuarjen e zjarreve të mëdha dhe të shëmtuara, që janë ndezur përmes paaftësisë dhe urrejtjes së madhe”.