-sidi education-spot_img
32.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Dr.Jorgji Kote: Me reforma dhe realizime, pa Refrene dhe Retorika!

Kryesoret

Në 22 Maj, në prani të Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani dhe Ministres së Shtetit, Adea Pirdeni u zhvillua Konferenca e 5-të Ndërqeveritare me BE-në; ajo shënoi dhe çeljen e grupit të pestë të negociatave të anëtarësimit “ Konkurrueshmëria ekonomike dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Ky grup përfshin 8 kapituj jetikë dhe sfidues si politikat social-ekonomike, tatimet, doganat, konkurrenca, arsimi, kultura, etj. Brenda muajve të ardhshëm do të çelen dhe dy grup kapitujt e fundit.

Padyshim një lajm dhe zhvillim pozitiv e premtues për përshpejtimin e këtij procesi, me qëllim përfundimin e negociatave në vitin 2027, që pas ratifikimit të Traktatit të aderimit nga të 27 vendet anëtare, në vitin 2030 të mund të hyjmë në BE.

Meqenëse e kam ndjekur nga afër këtë proces nga viti 1997 në takimet dhe forumet e tij si diplomat për 15 vite rresht në Bruksel dhe në Berlin duhet të them se delegacioni ynë la mbresa mjaft të mira me frymën e modestisë dhe përgjegjësisë që shfaqi në Bruksel; pa zhurmë dhe shampanjë, pa pohime, deklarime dhe përbetime, pa refrene dhe retorika. E pse të mos e themi se Ministri Hasani gjatë 20 muajve në krye të diplomacisë spikat duke punuar me rendiment, pa bujë por plot ”bukë”, cilësi këto deficitare në politikën dhe diplomacinë tonë.

Kjo sjellje politike u vlerësua nga Brukseli europian; për më tepër se ai u zhvillua 10 ditë pas 11 Majit zgjedhor, ku objektivi madhor ” Shqipëria në BE/2030 u bë kryefjala fituese e PS-së dhe e Kryeministrit Rama përballë ” trumpizmit” opozitar.

Kjo merr rëndësi të veçantë kur mendon se në këtë proces kemi patur shumë vonesa të pajustifikueshme; mbasi kemi 16 vjet që kemi bërë kërkesën dhe 11 vite kandidat i BE-së, por ende jemi ”në radë”; kur vendet e tjera “ simotra” u anëtarësuan brenda maksimumi 15 vitesh! Ndaj, le të mos flasim për rekorde!.

Veç kësaj, BE-ja na e çeli dritën jeshile 5 vite më parë, prapë çelja zyrtare e negociatave u bë në Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel më 19 korrik 2022; u festua atëhere atje dhe në Tiranë me të drejtë me tamtame dhe fishekzjarre. Tjetër gjë se për shkak të vetos greke, çelja faktike e grup kapitullit të parë u bë në Luksemburg vetëm më 15 tetor 2024. Ja pse nuk bëhet fjalë për ndonjë rekord shpejtësie krahasuar me vendet e tjera, si Serbia dhe Mali i Zi, të cilat i kanë çelur ato 10 vite më parë. Tjetër gjë që ende nuk i kanë mbyllur.

Ja pse çelja e pritshme së shpejti e të gjithë grup kapitujve është në rrjedhën normale të gjërave, diçka proceduriale. Ajo lidhet kryesisht me përgatitjen dhe formulimin nga ana jonë të pozicionit negociues për grup kapitujt dhe miratimin e tyre nga Komisioni Europian i cili i ”kalon në lupë” detyrimet dhe zotimet bashkë me afatet kohore përkatëse.

Ndaj u bë shumë mirë që më 22 Maj nuk pati tollumbace dhe fishekzjarre as në Bruksel dhe as në Tiranë; sepse askund nuk ndodh idealizimi deri në këngë edhe i çeljes së një grup kapitulli. Përkundrazi, pas festimit të vendimit për çeljen, vendet e tjera i janë futur punës për mbylljen e tyre të shpejtë me punë, përpjekje, reforma dhe realizime, sipas afateve kohore të përcaktuara në dokumentet e BE-së.

Krejt ndryshe qëndron puna me MBYLLJEN e një grup kapitulli dhe sidomos e të gjithëve; po, ato janë vërtet momente që duhen festuar dhe gëzuar me tambura. Sepse mendoni për një çast kur për çeljen e grup kapitujve na duhet një vit i tërë, po mbyllja e tyre brenda vetëm 2 viteve, ajo po, është vërtet rekord! Sepse vërtet 30 muaj janë deri atëhere por në një rrugë e gjatë, plot mundime dhe kushtëzime.

Ndaj tani, në vend të euforisë dhe retorikave boshe është koha që mbi të gjithë qeveria, e cila e siguroi mandatin plebishitar për këtë mision madhor t’i futet me vrull punës, në terren, për realizimin e reformave të njohura madhore, si sfida të vështira por të arritshme. Me një hartë të qartë rrugore, me afat dhe hapat që duhen hedhur duke lënë nje hapësirë manovruese kohe, për t’i dalë përpara të papriturave dhe bllokimeve të ndryshme gjatë këtij rrugëtimi të mundimshëm.

Themi kështu, sepse vërtet që negociatat bëhen me Komisionin Europian, por nën vëzhgimin e vendeve anëtare, të cilat do japin viston e tyre përpara përfundimit të negociatave bashkë me Parlamentin Europian. Dhe pastaj, parlamentet e 27 vendeve anëtare do të bëjnë ratifikimin e traktateve të aderimit, proces aspak formal, siç mendohet gabimisht, por ” vrima e fundit e gjilpërës” europiane.

Meqenëse jemi te kjo pikë, ia vlen të sqarojmë diçka me rëndësi. Vërtet që procesi mban emrin ”negociata”, por këtu ky term është eufemizëm diplomatik; në fakt bëhet fjalë për një proces shumë më kompleks se sa bisedime në tavolinë; më konkretisht bëhet fjalë për “Reforma” në fushat politike dhe social – ekonomike.

Se po të ishte që mund të hynim në BE me negociata dhe ekipe negociatorësh, puna do të ishte fare e lehtë dhe mund të përfundonte brenda një viti. Në fakt, vendi ynë nuk ka vuajtur për ekspertë dhe negociatorë në 25 vitet e fundit. Në shkollat europiane dhe në kurse të ndryshme trajnimi janë përgatitur breza të tërë ekspertësh, të cilët kanë shërbyer dhe si negociatorë për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe procese të tjera të lidhura me to. Gjithashtu, kemi diplomatë profesionistë karriere në MEPJ, në Ambasadat tona jashtë vendit, në Bruksel dhe gjetkë që kanë qenë apo mund të jenë negociatorë të zotë.

Po ashtu, veç disa deputetëve të spikatur në këtë fushë, të shumicës dhe të opozitës, në Administratën e Kuvendit dhe në drejtoritë e saj të Integrimit ka dhe promovohen me drejtë ekspertë dhe drejtues me përvojë të madhe teorike dhe praktike; ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të lavdërueshme dhe tani, duke mbikqyrur me kompetencë të lartë profesionale procesin e përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe veçanërisht çeljen e grup kapitujve të negociatave të anëtarësimit.

Aty shquhet për kontributin e vet Komiteti Kombëtar Parlamentar i Integrimit, i kryesuar me dinjitet dhe profesionalitet të lartë nga deputetja opozitare Jorida Tabaku dhe Nënkryetarja e tij, socialistja Etilda Gjonaj me stafet e tyre të përkushtuara. Puna dhe performanca e tyre e spikatur vlerësohet pozitivisht dhe në Brukselin europian.

E megjithatë, problemi është se negociatorët përgjigjen vetëm për aspektin teknik, për përcjelljen e masazheve dhe ” përkthimin ” e arritjeve dhe realiteteve tona si dhe me sugjerime praktike pranë institucioneve tona dhe atyre europiane. Por aq.

Elementi tjetër që është dhe përcaktues në këtë proces historik lidhet me aspektin politik, punën e qeverisë, marrëdhëniet e saj me aktorë dhe faktorë të tjerë, me nismat ligjore që ato të jenë në përputhje me frymën dhe gërmat e BE-së, dialogun dhe marrëdhëniet me opozitën, median, grupet e interesit, shoqërinë civile, etj, etj.

Një dëshmi bindëse për sa sipër është shtyrja e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asoccimit me BE-në, pararendësja e negociatave të sotme në vitin 2005, edhe pse ajo ishte gati për nënshkrim mbas një pune shumë të mirë të ekipit tonë negociator. Megjithatë, BE-ja e shtyu nënshkrimin e saj pasi nuk kishte besim te qeveria e asaj kohe, për shkak të korrupsionit galopant. Ndaj priti zgjedhjet e vitit 2005 dhe e nënshkroi atë në Qershor 2006 me garancitë e qeverisë së re.

E njëjta gjë ndodhi me kërkesën tonë zyrtare për statusin ”kandidat” në vitin 2009. Ndonëse gjithçka ishte gati, për shkak të marrëdhënieve të tendosura të qeverisë me opozitën e asaj kohe, ky status na u dha vetëm pas ardhjes së qeverisë Rama, në qershor 2014. Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur, se politika ka përparësi absolute mbi teknikën, politikanët mbi negociatorët, sado të aftë të jenë ata.

Ndaj dhe tani, sfida nuk është më suksesi në tavolinë, por në terren, për zbatimin e reformave të shumta, komplekse dhe të vështira. Vërtet që liderë të Europës, përfshirë Presidentin Macron deklaruan publikisht më 17 maj në Tiranë se e mbështesin anëtarësimin tonë në vitin 2030, madje e konsiderojnë atë pothuajse si fakt të kryer. Por, kjo me besimin e tyre se qeveria, e cila pas 11 Majit nuk ka se nga kush qahet më, do të realizojë pikërisht këto reforma, ashtu siç është zotuar me gojë dhe me shkrim dhe në Kornizën Negociuese e miratuar nga të dyja palët.

Ja pse është mirë që tani ” t’i hapen petët lakrorit” europian, pra qeveria të jetë transparente me publikun, të tregojë pak a shumë se çfarë është bërë dhe çfarë mbetet për t’u bërë, duke filluar nga grupkapitulli i çelur 7 muaj më parë, ku janë pikat tona të forta dhe të dobta, çfarë nuk është bërë mirë e që do kthyer mprapsht. Po aq e rëndësishme në këtë pikë është që na tregohen kapitujt ku përvoja jonë është minimale sepse janë dukuri relativisht të reja, sidomos ato që kanë të bëjnë me tregun unik, konkurrencën ekonomike, mjedisin e gjelbër, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionin, ku vërtet po ” shkelim në shtigje vërtet të panjohura”.

Po ashtu reforma e drejtësisë dhe ajo zgjedhore janë dy ” gurë themeli dhe kilometrikë” me rëndësi jetike në ritmin e negociatave. Reforma zgjedhore është lënë për vitin 2027, i fundit ashtu si dhe kapitujt që janë çelur vitin e kaluar do të rihapen po atë vit.

Mirëpo mungesa e kujdesit dhe efektivitetit në këto dy fusha madhore dhe problematike mund të shkaktojë pengesa dhe vonesa te këta kapituj, pa të cilët as që mund të mendohet BE/2030! Dhe nëse me Komisionin Europian mund ”dhe ta hedhësh pa u lagur lumin”, nuk e themi dot të njëjtën gjë për vendet anëtare, ku klima, pavarësisht nga deklarimet euforike në samite nuk është fort premtuese. Kështu Gjermania në programin e vet qeveritar e ka përmendur kalimthi vetëm njëherë zgjerimin.

Presidenti Macron kur flet për vitin 2027 ndoshta harron se në mesin e atij viti ai nuk do të jetë më President; dhe nuk dihet kush do ta zëvendësojë dhe qëndrimi i tij apo i saj për vendin tonë. Pa përjashtuar vonesa dhe incidente të tjera të mundshme, jo vetëm nga vende fqinje por dhe të tjera, siç kanë ndodhur me të tjerë, përfshi Kroacinë rekordmene në këtë fushë.

Këto masa të nevojshme, krahas hapave konkrete në terren do të ndihmojnë në krijimin e bindjes se objektivi BE/2030 është i realizueshëm, edhe pse jo aq lehtë. Gjithashtu kjo do të ndihmojë për të mobilizuar gjithkënd, që secili të kryejë detyrat e veta; sepse, siç thuhet me të drejtë, në BE nuk do të hyjë vetëm diplomacia, partia dhe qeveria, por gjithë ekonomia, shoqëria dhe Shqipëria!

Ndërkohë, po është e vërtetë, gjeopolitika e favorshme, samitet dhe forumet ndërkombëtare që kemi mikpritur, përfshi atë të datës 16 Maj në Tiranë janë ndihmë e madhe; por me kusht që të lëvizin me temp gjërat dhe nga brenda. Siç thoshte Kryeministri emblematik britanik, Willim Gladstone “parimi i parë për sukses në politikën e jashtme është mirëqeverisja e brendshme”. Sepse suksesi brenda vendit i bën shumë më të besueshme dhe arritjet e spikatura në kryesimin tonë të OSBE-së, praninë në KS të OKB-së, mikpritjen e disa samiteve, etj, që ato të mos katandisen apo të shihen thjesht si dekore diplomatike. Ndryshe, të huajt do të ”na e marrin dorën” dhe do të vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër diplomatik, dmth me ” fjalë të mira por gurë në trastë”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit