Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë festimeve për fitoren e Liverpool FC në Premier League, ku një makinë është përplasur me turmën e tifozëve, duke lënë dhjetëra persona të plagosur.
Sipas autoriteteve, në total 27 persona janë dërguar në spital, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, përfshirë edhe një fëmijë. Në mesin e të plagosurve raportohen gjithsej katër fëmijë.
Policia ka arrestuar shoferin e makinës, një 53-vjeçar britanik. Deri tani, ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist, por hetimet janë ende në vazhdim.
Në momentin e ngjarjes, mijëra tifozë ishin në rrugët e qytetit për të festuar suksesin e Liverpool-it. Klubi ka reaguar menjëherë, duke shprehur mbështetjen e tij për të plagosurit dhe për ekipet e emergjencës që ndihmuan në vendngjarje.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe tifozët, duke kthyer një ditë festimesh në një ditë pasigurie e shqetësimi.