Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi ministri i Bujqësisë Faton Peci u intervistua nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore.
Abdixhiku shprehet se në këtë epokë e vërteta do të qëndrojë, si dhe paratë e vjedhura do të kthehen cent më cent. Ai nënvizon që atë ditë do të mburren të gjithë për shtetin e Kosovës dhe me arritjet e saj.
“Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë. Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë”, shkruan Abdixhiku në facebook.