-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BE: Kosova ta formojë sa më shpejt qeverinë e re

Kryesoret

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë të mërkurën se shpreson se Kosova do ta formojë sa më shpejt qeverinë e re, me të cilën blloku evropian mund të punojë për rrugën e vendit drejt integrimit evropian.

Duke folur në konferencë në Prishtinë, e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, Orav tha se Kosova mund të bëjë gjëra të cilat e çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv”, theksoi Orav në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ai shtoi se BE-ja ka “nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ngërçi politik vjen pasi asnjë pari nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe nga mungesa e vullnetit nga partitë politike për krijimin e ndonjë koalicioni qeverisës.

Ndërkohë, Orav foli edhe për çështje të tjera, si masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Duke folur për masat, të cilat BE-ja tha javën e kaluar se ka filluar t’i heqë dalëngadalë, Orav tha se Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me bllokun për heqjen e tyre në tërësi.

Në lidhje me Asociacionin, Orav theksoi se BE-ja e ka bërë gjithmonë të qartë se ai duhet të themelohet.

“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha ai.

Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta dërgojë këtë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe Sorensenit gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 17 mars./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit