Qeveria maqedonase ka shpërndarë 30 milionë denarë përmes buxhetit qendror për viktimat nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Nga 30 milionë denarë 11.2 u janë paguar familjeve të të lënduarve që u dërguan për mjekim jashtë vendit.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e njoftoi këtë në seancën parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve. Ajo theksoi se përveç kësaj përkrahjeje direkte, në mënyrë shtesë do të sigurohet përkrahje përmes FSSHM-së për mjekimin e të lënduarve të cilët kanë marrë plagë më të rënda, ku mjekimi do të jetë afatgjatë.
“Për këtë situatë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë reagoi shumë shpejt. Për viktimat janë siguruar 30 milionë denarë buxheti dhe deri më tani janë paguar 11.2 milionë denarë për të lënduarit që u dërguan për mjekim jashtë vendit.
Përmes Kryqit të Kuq janë mbledhur mbi 100 milionë denarë, aktivitet që u realizua në koordinim me Qeverinë dhe ishte mënyra e vetme më shpejt e mundshme për mbledhjen e mjeteve financiare dhe për t’u ndihmuar familjeve të viktimave.
Kjo ishte arsyeja pse ne kemi zhvilluar dy procedura, njëra prej të cilave ishte me Kryqin e Kuq, ku të gjithë ne si funksionarë dhe deputetë nga shumica parlamentare, por edhe nga opozita kemi dhuruar”, tha ministrja.