Prokuroria e qytetit Foggia ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Taulant Malajn, i akuzuar për një ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik më 7 maj 2023 në komunën Torremaggiore. Sipas autoriteteve italiane, Malaj akuzohet për vrasjen me thikë të Massimo De Santis, një 51-vjeçar italian, dhe vajzës së tij 16-vjeçare, Jessica, ndërsa plagosi rëndë bashkëshorten e tij.
Hetimet zbuluan se ngjarja kishte ndodhur në banesën e familjes Malaj, pas dyshimeve për një marrëdhënie jashtëmartesore të bashkëshortes me viktimën italian. Vajza adoleshente kishte ndërhyrë për të mbrojtur të ëmën, por fatkeqësisht humbi jetën gjatë sulmit.
Sipas dosjes së prokurorisë, Malaj ka pranuar autorësinë e krimit në momentin e arrestimit, duke thënë: “Unë i vrava. Vetë e bëra”. Në procesin gjyqësor, prokurorët theksuan se vrasja ishte kryer me paramendim dhe në mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme, çka sipas tyre përjashton çdo rrethanë lehtësuese.
Gjykata pritet të japë vendimin përfundimtar në javët në vijim, ndërsa ngjarja vijon të jetë një nga më të rëndat e ndodhura në rajonin e Puglias në vitet e fundit.