Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie dhe një tjetër është pezulluar nga detyra. Sipas njoftimit zyrtar theksohet se në pranga ka ranë një 57-vjeçar me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Ndërsa në Tiranë është arrestuar në flagrancë punonjësi i policisë Inspektor 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në Elbasan, agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.