Një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted” u përmbyll me sukses, si rezultat i bashkëpunimit mes FAST Albania, DVP Gjirokastër dhe FAST Kosovë, në koordinim me rrjetin ENFAST.
Në qytetin e Tepelenës u kap një 37-vjeçar nga po i njëjti qytet, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Kosovë. Ai ishte i pajisur me dy urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Pejës gjatë vitit 2024 njëri për kultivim të bimëve narkotike dhe tjetri për të njëjtën vepër penale, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Arrestimi u bë i mundur falë koordinimit të ngushtë mes strukturave të specializuara në Shqipëri dhe Kosovë. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare për finalizimin e procedurave të ekstradimit.