Partia Demokratike i ka dërguar një kërkesë KAS, ku ka kërkuar përjashtimin e anëtarit Ilir Rusmaili.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu ka paraqitur sot kërkesën me shkrim dhe tha se “Duam, proces të rregullt ligjor që është paanshmëria”.
“Po ashtu, anëtari Rusmali, në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e tij të brendshme ndaj pales ankuese, Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, degradon në sharje dhe ofendime personale ndaj përfaqësuesve ligjor të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Sjellje, veprime dhe shprehje, të cilat jo vetëm cënojnë solemnitetin e shqyrtimit administrativ, por dëshmojnë për probleme të thella karakteriale, siç mund të jetë mllefi i akumuluar ndër vite i këtij anëtari ndaj Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, që e bën të humbasë objektivitetin dhe të mos ruajë etikën minimale të komunikimit njerëzor/institucional, që duhet të karakterizojë anëtarët e një trupe kolegjiale të një organi publik”, thuhet në shkresën zyrtare drejtuar KAS.








