-sidi education-spot_img
29.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Leonard Demi: Tabutë bien

Kryesoret

“Amerika është më shumë një ide sesa një vend, është dashuria për liri për dinjitet, që qëndron thellë brenda zemrës të secilit prej nesh”. – Roland Reagan

Vatikani mënjanon paragjykimet

Më 8 maj, Kolegji i Kardinalëve (Konklavi) zgjodhi papë Kardinalin Ipeshkëv Robert Francis Prevost, duke mënjanuar një rregull të pashkruar se bota nuk do të kishte kurrë një udhëheqës shpirtëror për 1.4 miliardë katolikë nga një superfuqi. Shumë hierarkë, në Vatikan, e shihnin Prevostin si një pasardhës logjik të papë Françeskut, pavarësisht se ai është amerikan dhe Selia e Shenjtë i sheh Shtetet e Bashkuara si një vend me ndikim të jashtëzakonshëm global. Kështu, në vitin 2023, ati i shenjtë e thërriti Prevostin nga posti i tij i largët në Peru për të drejtuar Dikasterin e Ipeshkëve në Vatikan, i cili mbikëqyr përzgjedhjen dhe emërimin e ipeshkëve katolikë. Për pak kohë, ai u bë i domosdoshëm në përpjekjet e papës për të ndryshuar kishën, duke përkrahur klerikë, që ishin më pranë qasjes baritore të Françeskut: vëmendje për të varfërit dhe derë të hapur për t’i mirëpritur.

Sipas studjuesve, ky Konklav mbështeti ngritjen e një kishe të moderuar, që kërkon ekuilibër, unitet dhe harmoni, një kuri (qeveri) të mirëorganizuar, një papë kolegjial, i cili duhet të zotërojë tri veçori: të jetë një misionar, që mund të forcojë besimin; të jetë një burrë shteti me integritet dhe aftësi për t’u angazhuar me efikasitet në çështjet globale para kujtdo që do të ketë përballe; si dhe një lider, që të mund të drejtojë Vatikanin me efekitivitet, përfshirë edhe përballimin e krizës së vet financiare. Robert Prevost ka dëshmuar se i plotëson të tre këto kritere.

Ai ra në sy që kur familja e tij (italo-franceze-spanjolle) e dërgoi të ndinqte një seminar të drejtuar nga Urdhëri i Shën Agustinit në Çikago. Prej andej, u regjistrua në Universitetin Villanova në Filadelfia, ku u diplomua në matematikë në 1977. Po atë vit, filloi studimet në Unionin Teologjik Katolik të Çikagos, ku mori një diplomë Master dhe, në vitin 1982, u doktorua në të drejtën kanonike nga Kolegji Papnor i Shën Thomas Akuinas. Veprimtaria e tij bazohet në pastërtinë e logjikës dhe bukurinë e të vërtetave, të cilat, nëse janë objektive, duhet të jenë të pranueshme jo vetëm për njerëzit, që ndajnë bindjet e tij fetare, por për të gjithë botën.

Një papat transatlantik

Historianë të Kishës kumtojnë se papati i ri zhvendoset në veri dhe bëhet transatlantik, pjesë e traditës së katolicizmit social, e kundërta e lodrave zjarrëvënëse të fondamentalizmit dhe joliberalizmit.

Sot, vështirësitë e shumta me të cilat përballen të krishterët e botës dhe, në veçanti, institucioni i kishës, demonstrohen më qartë në Amerikë, një superfuqi katolike, por me një katolicizëm më të ndryshëm nga ai i Çikagos, të vitit 1955,  kur lindi Leoni i XIV. Sot, katolikët konservatorë amerikanë përpiqen të fshehin të vërtetën e abuzimit të fëmijëve apo çdo veprim tjetër të pamoralshëm, që ka mdodhur në kishën amerikane. Ata, duke mospranuar dobësitë e saj, kanë mbështetur politika nacionaliste apo marrëdhënie ekonomike ekstremiste, aq sa duket se po minojnë thelbin e besimit të tyre. Pikërisht, për këto arsye, vërejnë katolikët e devotshëm, Fryma e Shenjtë zgjodhi një amerikan si papë të ri.

Shumë Vatikanistë e shohin Leonin e XIV një figurë, që ofron një vizion alternativ të Amerikës. Ai nuk do të jetë një njeri që ëndërron ta bëjë Amerikën përsëri të madhe, por një katolik, që përfaqëson atë që kanë të përbashkët Shtetet e Bashkuara dhe Kisha Katolike: drejtësi sociale, një perspektivë më të gjerë globale, që ndërmjetëson konfliktet dhe mbron të drejtat e njeriut. Papati i tij mund të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, duke sfiduar katolikët konservatorë, të cilët do ta kenë të vështirë ta akuzojnë për progresivizëm radikal ose antiamerikanizëm; kurse progresistët nuk do të jenë në gjendje ta refuzojnë me arsyetimin se është tradicionalist. Për të gjithë katolikët në Shtetet e Bashkuara, papa i ri është një fëmijë i vendit, një fëmijë i kësaj Amerike, që Konklavi, në një farë mënyre, e bën përsëri të madhe, por në një kuptim mjaft të ndryshëm nga ai MAGA-s. Sidoqoftë, Presidenti Trump e uroi menjëherë përzëmërsisht: “Është një nder i madh kur mendon se ai është papa i parë amerikan. Çfarë emocioni.” Ndërsa, ish-Presidenit Obama e quajti: “një ditë historike për Shtetet e Bashkuara…” Kësisoj, Udhëheqësit politikë në të dy anët e Atlantikut, pos urimeve për rolin e veçantë që ka në bashkimin e njerëzve dhe kombeve për të trajtuar çështjet kryesore të kohës sonë; kërkuan thellimin e bashkëpunimit me Vatikanin.

Rerum Novarum

Papa amerikan tha se është i përkushtuar për të ndjekur një rrugë modernizimi si ajo e Leonit të XIII (1878-1903), enciklika e të cilit “Rerum Novarum” (Realitetet e Reja) është një kryevepër e doktrinës sociale dhe ekonomike, me të cilën, për herë të parë, Kisha mori në konsideratë aspiratat e reja për drejtësi sociale dhe trajtoi çështjen sociale në kontekstin e revolucionit të madh industrial. Ky dokument kërkon një qëndrim dhe paga më të mira për punëtorët. Ai denoncon të metat dhe gabimet e kapitalizmit dhe ngërthen një kornizë të re doktrinare për të drejtuar ekonomitë moderne industriale.

Kjo doktrinë do ta përballë Leonin e XIV me pabarazitë e thelluara ekonomike dhe sociale, dobësimin e sovranitetit demokratik, konsolidimin e pushtetit të oligarkëve dhe kapjen e shtetit, pasiguri në tregun e punës, degradimin mjedisor dhe me politika autoritare e policore për të administruar këtë situatë. Po kështu, ai do të përballet me revolucionin e inteligjencës artificiale, që, sipas tij, “do të paraqit sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës.”

Habemus Papam

Papa, personaliteti më i lartë moral i njerëzimit, kreu i Kishës Katolike dhe i Shtetit të Vatikanit, ka një pozicion unik në gjeopolitikën globale dhe mban marrëdhënie diplomatike me mbi 180 shtete. Ndikimi i tij nuk bazohet në fuqinë ushtarake apo fuqinë ekonomike, por në autoritetin moral, legjitimitetin historik dhe aftësinë për të ndikuar në politika të rëndësishme, për të ndërmjetësuar konfliktet dhe për të ndikuar jo vetëm në vendet me shumicë katolike, por edhe në shtetet jokatolike, madje edhe në shtetet laike ose autoritare. Krerët e shteteve dhe qeverive kërkojnë marrëdhënie të mira me Papën dhe Vatikanin për arsye strategjike, diplomatike, morale dhe kulturore. Fjalët e tij mund të legjitimojnë ose delegjitimojnë veprimet për luftën, paqen, migrimin, ndryshimet klimatike apo dinjitetin njerëzor.

Në fjalimin e tij të parë nga ballkoni i Bazilikës të Shën Pjetrit, Leoni i XIV foli për “një paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse,” e cila ngërthen një vizion të thellë dhe shumëplanësh: një paqe, që nuk mbështetet në armë apo dhunë, por tek një forcë transformuese nëpërmjet urave të dialogut, që nxit unitetin midis njerëzve dhe thekson rolin e kishës në ndërmjetësimin dhe promovimin e pajtimit, duke hedhur poshtë çdo pretendim për ta përdorur atë si trampolinë.

Këtu, duket se ai shpalli orientimin e ri “politik” të Kishës Katolike: të përqendrohet kryesisht tek paqja si një forcë e paarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse, jo thjesht nga pikëpamja e diplomacisë së saj tradicionale, por edhe duke u kërkuar besimtarëve të angazhohen kolektivisht në këtë kauzë për të vepruar përtej kufijve kombëtarë, kundër logjikës së konfrontimeve imperialiste; kundër grabitjes territoriale dhe mohimit të së drejtës për vetëvendosje; kundër mungesës së respektit të hapur për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare. Ndërsa, para trupit diplomatik, theksoi angazhimin e tij shoqëror dhe bëri thirrje për një luftë kundër “pabarazive globale” dhe “kushteve të padenja të punës.”

Qëllimi i tij për t’i dhënë fund luftërave, që përputhet me vizionin e Presidentit Trump, shikohet nga zyrtarët e lartë amerikanë si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet me Vatikanin. “Zoti”, thotë Kardinali gjerman Müler, “e zgjodhi Leonin e XIV për të predikuar ungjillin dhe jo për të bërë politikë në favor të këtij apo atij presidenti. Papa qëndron absolutisht përmbi.” Disa të përditshme amerikane si The Federalist shkruajnë se Papa i parë amerikan në histori ka mosmarrëveshje me administratën e sotme të Uashingtonit apo është kritik ndaj politikës së saj për emigracionin, ndryshimet klimatike, kontrollin e armëve, Covidin dhe marrëdhëniet racore.

Personalitete, që e njohin nga afër mendojnë se ai nuk do të qëndrojë i heshtur për shumë gjatë, nëse ka diçka për të thënë… dhe, si shembull, sjellin veprimtarinë e tij në Peru, kur ish-presidenti peruan, Alberto Fujimori, më 1995, shpërndau Kongresin dhe tregoi pak respekt për të drejtat e njeriut. Prevost dhe kolegë të tjerë të komunitetit augustinian peruan filluan të merrnin pjesë në demonstrata, dhe të organizonin shumë aktivitete të tjera kundër abuzimeve autoritare, përfshirë dënimet pa proces të rregullt ligjor.

Së bashku për të ndërtuar ura

Ftesa e Leonit XIV “Ecim së bashku për të ndërtuar ura” pasqyron vizionin e tij për unitet, dialog dhe bashkëpunim në vend të mureve ndarës. Para 150 000 besimtarëve në Sheshin Shën Pjetër, bëri thirrje kundër luftrave të sotme, si: në Ukrainë, Gaza, në Afrikë, luftërave civile, përndjekjeve të minoriteteve fetare, krizave humanitare, tregtisë ndërkombëtare të armëve, sulmeve terroriste, të cilat Papë Françesku i përcaktoi si “Lufta e Tretë Botërore që po zhvillohet pjesë-pjesë.” Kështu, në krye të herës, Papa Leon i XIV ofroi Vatikanin të organizojë bisedimet për paqen Rusi-Ukrainë dhe tërhoqi vëmendjen për luftën në Gaza, ku “fëmijët, familjet dhe të moshuarit e mbijetuar po vdesin nga uria.”

Epilog

Më 2 prill 2005, Henry Kissinger i tha NBC News: “Në shekullin e njëzetë do të ishte e vështirë të imagjinohej dikush që të kishte pasur një ndikim më të madh sesa prifti dhe peshkopi polak.”

Papa Gjon Pali II luajti një rol vendimtar gjeopolitik, veçanërisht, në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe rënies përfundimtare të komunizmit në Europën Lindore. Ndikimi i tij i madh shkoi përtej çështjeve fetare. Veprimtaria e tij i dha trajtë peizazhit politik të fundit të shekullit të 20-të: rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërjea e Bashkimit Sovjetik.

Gjon Pali II e shihte luftën në Ballkan si një dështim të përgjegjësisë dhe ndërgjegjes europiane. Ai kritikoi si fuqitë europiane ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar për hezitimin dhe mosveprimin e tyre, veçanërisht gjatë viteve të para të luftës. Ai besonte se ideali europian i unitetit dhe paqes po vihej në provë në Ballkan. Ai mbështeti vetëvendosjet kombëtare, duke kontribuar në çlirimin e popujve të Ballkanit Perëndimor dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Papa Gjon Pali II dëshmoi se si autoriteti shpirtëror mund të formësojë gjeopolitikën pa ushtri ose detyrim ekonomik. Ai lidhi Lindjen dhe Perëndimin, Veriun dhe Jugun dhe shërbeu si ndërmjetës midis traditave fetare, ideologjive politike dhe qytetërimeve. Pikërisht, ashtu siç besonte Kardinali Stanisław Dziwisz se Papa Gjon Pali II dhe Presidenti Ronald Reagan “ndikuan në rrjedhën e historisë dhe rishkruan fundin e historisë të shekullit të njëzetë.” Le të besojmë se në shekullin e njëzet e një këtë gjë do ta bëjë Leoni i XIV.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit