Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me vendimin e Partisë Popullore Europiane (PPE) për të dërguar një mision faktmbledhës në Shqipëri.
Këlliçi e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm dhe pozitiv, jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët, duke theksuar se ky mision është një mundësi për të hedhur dritë mbi zgjedhjet e 11 majit, të cilat ai i quan “farsë elektorale”.
“Sjellja e misionit faktmbledhës nga PPE është një hap i dytë kyç pas qëndrimit zyrtar të IDC-CDI, për të zbardhur mashtrimet dhe lidhjet kriminale të qeverisë së Edi Ramës me grupe kriminale europiane,” shkruan Këlliçi.
Ai kërkon që të ndërpriten farsat elektorale dhe të garantohet një proces transparent për zgjedhjet në Shqipëri.