Komisionarja për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, theksoi të martën se përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo nga veprimet e njëanshme.
Gjatë një diskutimi në Parlamentin Evropian, Kos njoftoi se Komisioni është i gatshëm të përgatisë një raport për aplikimin e Kosovës sapo të marrë kërkesën nga Këshilli Evropian.
Kosova ka aplikuar për në BE në dhjetor 2022, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat, duke mbetur i vetmi vend në Ballkan pa këtë pozicion.
Komisionarja u shpreh gjithashtu për nevojën e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se pa një qeveri funksionale dhe një Kuvend të konstituuar, vendi nuk mund të përparojë me reformat.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për herë të 25-të më 2 qershor, duke shtuar pasigurinë politike në vend.