NATO po bën thirrje që të gjitha shtetet anëtare europiane të rrisin pesëfish aftësitë e tyre të mbrojtjes ajrore tokësore. Kjo nismë vjen si pjesë e përpjekjeve të aleancës për të mbushur boshllëqet kritike në sistemin e saj të mbrojtjes ndaj kërcënimeve nga Rusia.
Plani do të diskutohet këtë të enjte në samitin e ministrave të mbrojtjes që mbahet në Bruksel. Secili vend do të ketë nivele të ndryshme të rritjes së kapaciteteve, ndërsa ende nuk është përcaktuar një afat i qartë për përfundimin e këtij procesi.
Në të njëjtën kohë, ministrat pritet të miratojnë një nga angazhimet më ambicioze për rritjen e rezervave të armëve që nga Lufta e Ftohtë, duke forcuar kështu aftësinë e përgjigjes së shpejtë të NATO-s.
Ky takim përgatitor shërben për samitin e liderëve që do të mbahet më 24-25 qershor në Hagë, ku do të diskutohen më gjerë masat për të përballuar kërcënimet moderne.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nënvizoi se “Nuk jemi në luftë, por as në paqe. Duhet të forcojmë parandalimin dhe gatishmërinë për veprim të plotë operacional.” Përforcimi i mbrojtjes nga dronët, raketat dhe avionët luftarakë të gjeneratës së re është konsideruar prioritet kryesor për aleancën.