Një 70-vjeçar është arrestuar në fshatin Ferras nga Policia e Divjakës pas denoncimit të djalit të tij për dhunë në familje. Gjatë kontrollit të banesës së M.M., u gjetën dhe sekuestruan një granatë dore, 119 kapsolla detonatore, 138 fishekë dhe 9 karikatorë, të gjitha pa leje.
Pas kallëzimit të bërë nga djali 33-vjeçar, shërbimet e Policisë ndërhynë dhe arrestuan autorin. M.M. akuzohet për “dhunë në familje” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”. Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme.