Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 11:00 për të tentuar sërish konstituimin e legjislaturës së nëntë, në përpjekjen e 26-të me radhë. Kjo tentativë vjen pas dështimit të përpjekjes së 25-të, e cila u mbajt të hënën.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka ftuar partitë politike që nuk kanë propozuar anëtarë për komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të bëjnë këtë propozim. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje nga subjektet politike.
Në seancën e fundit, nga 104 deputetë të pranishëm, 51 votuan për përbërjen e komisionit, një ishte kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Procesi i konstituimit vijon të jetë sfidues, ndërsa vendi mbetet pa legjislaturë të re pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.