Sot në Gjykatën e Posapm po vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej në kuadër të çështjes “Plumbi i Artë”. Alibej ka treguar se ishte kthyer fshehurazi në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër në Qafëbotë, pasi ai ndodhej në kërkim.
Ai tha se pasi mbërriti ka kontaktuar me Genc Tafilin, të cilin e ftoi në banesën e tij. Alibej tregoi se Tafili kishte shkuar së bashku me Dorian Dulin dhe sipas tij ishin të dy të armatosur.
“Tafili më tha se Doriani kishte pasur një takim me Talo Çelën dhe dy mirditorë, ndaj dhe dolëm menjëherë nga banesa. E ngacmova Gencin që të vinte sërish në takim, por nuk pranoi më,” dëshmoi Alibej.
Ai përmendi edhe Suel Çelën, të cilit i kishte kërkuar takim me Kamer Mehjen.
“Sueli më tha që Kameri nuk vinte sepse aty ishin ‘katunarët’, duke iu referuar familjes Çapja. Më propozoi të takoheshim te tregu. Nuk doja të dukej sikur kisha frikë, ndaj shkova.”, shtoi ai.
Alibej dëshmoi se takimi ndodhi në një lokal pranë tregut, në prani të Kamer Mehjes dhe Mario Çelës.
“E pyeta Kamerin nëse ishte e nevojshme të hidhte fishekzjarrë ditën që u vranë familjarët e mi. Ai mohoi të kishte lidhje dhe tha se vëllain tim, Endritin, nuk e njihte.”, tha ai.
Sipas dëshmisë, në këtë takim ishte shtruar edhe çështja e eliminimit fizik të Erion Alibejt. “Pyetja ishte: ‘Sa do lekë do? Vendose vetë shifrën, sa do që të vrasësh Erionin’.”
Alibej ka thënë se kishte dyshime të forta se kërkohej të nxirrej nga banesa për t’i zënë pritë. “Doriani më ftonte shpesh të dilja, të qetësohesha. E kuptova që nuk ishte rastësi.”