-sidi education-spot_img
30.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Amerika dhe fuqia e butë!

Kryesoret

Pas muajit janar 2025, kur në krye të Shtëpisë së Bardhë rierdhi Donald Trump presidenca e tij ka filluar me sulme dhe goditje në ballë të gjerë kundër shumë institucioneve arsimore, kulturore, mediatike dhe akademike, të cilat përbëjnë atë që njihet si “fuqia e butë“ (soft power).

Shënojmë se vazhdimisht, por sidomos në 70 vitet e fundit “fuqia e butë“ ka patur një rol, peshë, jehonë dhe ndikim të madh ndërkombëtar për imazhin dhe rolin e SHBA-ve si superfuqi botërore si dhe të gjithë vendeve të tjera, të mëdha e të vogla.

Kështu, është reduktuar në minimumin e vet, në 17 për qind të kapacitetit të mëparshëm USAID, agjencia më e madhe dhe më e fuqishme e ndihmave amerikane në gjithë botën, në Ballkan dhe në vendin tonë, e themeluar nga Presidenti Kenedi. Më 15 Mars heshti “Zëri i Amerikës“ me 1300 gazetarë dhe punonjës elitarë, i cili për 84 vite rresht ishte zëri i të vërtetës amerikane në vendet ku sundonte komunizmi dhe diktaturat e egra, përfshi dhe vendin tonë; po ashtu u ndërpre financimi i “Evropa e Lirë“ radio dhe stacione të tjera televizive të vendit.

Se sa i dhimbshëm ishte ky fakt këtë e tregoi fakti se rregjimet autokrate fërkuan duart, hodhën fishekzjarre dhe derdhën shampanjën nga gëzimi. Po ndëshkohen financiarisht dhe me masa të tjera 10 universitetet elitare, ndër të cilat dhe Harvardi emblematik, në përpjekje për t’i vendosur ato nën tutelën e administratës e duke u hequr ose cënuar lirinë akademike. Po kështu, do të shkurtohet me 50 për qind rrjeti shërbimi i jashtëm amerikan, kryesisht pjesa që ka të bëjë me “diplomacinë e butë“ publike, kulturore, etj.etj. Ndërkohë, janë shpallur “non – grata“ fjalët dhe konceptet diversiteti, barazi dhe gjithëpërfshirje, etj.

Këtë rrezik e paralajmëroi para disa kohësh, pak përpara se të ndahej nga jeta në moshën 88 vjeçare Josef P. Nye, ideologu më i shquar i fuqisë së butë, ish drejtues në Departamentin amerikan të shtetit dhe profesor i shquar i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai deklaroi se Amerika nuk mund të bëhej as më e madhe dhe as më e fortë duke shkërmoqur diplomacinë dhe fuqinë e butë.

Për të kuptuar sa jetike është fuqia e butë, për çdo vend dhe institucion, qoftë dhe për një supershtet si SHBA-të, më poshtë po bëjmë një “ndalesë shpjeguese” me pak referenca teorike dhe me më shumë shembuj nga jeta, politika dhe diplomacia.

Sipas të ndjerit Joseph P. Nye, “fuqia e butë“ (soft power) është aftësia për të joshur, tërhequr dhe bindur me fuqinë e ideve, imazhit, kulturës“.

Përkundrejt “fuqisë së ngurtë“ ( hard power) e cila përfaqëson aftësinë për të detyruar tjetrin ose të tjerët të të binden nëpërmjet forcës ushtarake ose të parasë“. Nye më tej shprehet se “fuqia e butë përfaqëson diplomacinë e mendjeve dhe zemrave“. Ajo synon të “kultivojë marrëdhënie respekti, admirimi dhe ndikimi te të tjerët”. Fuqia e butë njihet dhe si “forcë përshkruese, sociale, jomateriale ose shpirtërore”.

Pra le ta theksojmë se thelbi i fuqisë së butë është aftësia për të bindur të tjerët, pra t’i “detyrosh” të ndjekin rrugën dhe shembullin tënd, jo me forcën e armëve, parasë, traktateve, kodeve, madhësisë gjeografike, GDP-së, sanksioneve ekonomike, por nëpërmjet arsyes, forcës tërheqëse dhe bindëse.

Senatori amerikan, autori i programit të mirënjohur të bursave për studime në SHBA, J. William Fulbright shprehet se “në kursin e madh të historisë, mirëkuptimi i ideve tuaja nga njerëzit krijon më shumë siguri sesa nëndetëset“. Kjo ndodh pasi, siç shprehen edhe ekspertë të tjerë, fuqia tërheqëse dhe bindëse është më e madhe se shtrëngimi/detyrimi me mjete ushtarake dhe sanksione ekonomike.

Forca magnetike e fuqisë së butë shpjegon shumë raste kur personalitete të ndritura të kulturës, muzikës dhe artit botëror kanë pasur e kanë po atë, madje fuqi me të madhe morale e jetëgjatë se perandorë, gjeneralë, biznesmenë dhe politikanë të mëdhenj. Vërtet që monarkë dhe gjeneralë të famshëm, si përfaqësues tipikë të “fuqisë së ngurtë“ ( hard power) me aftësitë e tyre të jashtëzakonshme politike dhe ushtarake kanë bërë epokë dhe i kanë vënë “vulën” historisë. Por, krahas tyre, po aq, në mos dhe më shumë të njohur janë “monarkët/ gjenitë” e letrave, të artit dhe muzikës botërore, si përfaqësues tipikë të fuqisë së butë. Këtu tregojnë rastin me Stalinin, i cili kur i flitnin për fuqinë e Vatikanit pyeste me sarkazëm se sa tanke dhe batalione kishte.

Mirëpo koha tregoi se ai dhe Bashkimi Sovjetik me gjithë fuqinë e saj ushtarake u shembën, ndërsa Vatikani vazhdon të rrezatojë ndikimin e tij planetar te 1,5 miliard besimtarë katolikë, shembull tipik i fuqisë së butë!

Duke u futur te letërsia, dihet se fuqia rrezatuese e “Rubairave” të Omar Khayyam-it e ka sfiduar madhështinë e mbretërve persianë. Greqia e lashtë u shqua për prijësit dhe heronjtë e saj spartanë dhe të Trojës që kanë hyrë në Panteonin e ndritur të historisë. Por, ajo spikati po aq, edhe me Homerin, Aristotelin, Platonin, Sokratin, me dijetarët e famshëm dhe qytetërimin rrezatues deri në ditët tona.

Napoleon Bonaparti qëndron në “majën e Olimpit” të historisë moderne të Francës dhe të kontinentit. Por, pranë tij qëndron Hygoi që e ndezi kontinentin me veprën e tij të pavdekshme. Madje, Hygoi e ka përcaktuar epërsinë e “fuqisë së butë” me sentencën e tij monumentale: “Nuk ka ushtri në botë që t’i rezistojë një ideje, të cilës i ka ardhur koha”.

Po në Rusinë e dikurshme, a mund të thuhet se Tolstoi qëndron më poshtë se Kutuzovi dhe Zhukovi, këta gjeneralë me famë botërore dhe gjigandë të armëve siç ishin; ndaj thuhet se në Rusi ka patur dy “Carë” të mëdhenj: Nikolla dhe Tolstoi!.

Në Angli gjen liderë dhe protagonistë me famë të “fuqisë së ngurtë”. Megjithatë, Shekspiri qëndron mbi Wellingtonin dhe Nelsonin, të mëdhenj dhe legjendarë siç ishin. Ashtu si Bethoven, Gëte dhe Schiler janë në majë të piramidës së njerëzve të mëdhenj të politikës gjermane, nobelistëve dhe legjendarëve të njohur në botë, si Bismarck, Adenauer, Brandt dhe Kohl! Në Austri, gjenerali austriak Radecki, më shumë se talentin e tij ushtarak e bëri të pavdekshëm Shtrausi me “Marshin” e tij të famshëm muzikor, që përcillet më 1 janar të çdo viti me “standing ovations” në Koncertin e ditës së parë të Vitit të Ri në Vjenë.

Sado të gjithëpushtetshëm, presidentët amerikanë, sërish Elvisi, Jackson, Madona, Ray Charles etj, janë mbretërit e vërtetë të një kulture dhe muzike që ngriti peshë të gjithë, edhe vetë presidentët, mbretërit dhe princërit e politikës! Legjendar ishte Garibaldi në Itali, por pa muzikën madhështore të Verdit, topat dhe armët zor se do të kishin bërë gjithçka. Gjithashtu, vështirë të gjendet ndonjë gjigand apo formacion tjetër politik dhe ushtarak, që të konkurrojë për nga madhështia me trinomin e magjishëm Shekspir, Mikelanxhelo dhe Bethoven.

Në vendin tonë, ndër shembujt më emblematikë të “Fuqisë së Butë” është, pa dyshim, Nënë Tereza, kjo bamirëse e madhe me origjinë shqiptare, vepra dhe mirësia e së cilës “pushtoi” botën mbarë. Po ashtu, rilindasit tanë të mëdhenj e sintetizuan aq thjeshtë dhe bukur raportin ndërmjet fuqisë së butë dhe asaj të ngurtë, kur lëshuan kushtrimin: “Me pushkë e penë, për Mëmëdhenë”. Ashtu si Ismail Kadareja i cili pushtoi botën me veprën tij letrare duke e nxjerë nga periferia e duke e ngritur në piedestalin e letërsise botërore!.

Po aq peshë dhe fuqi të butë ka fjala e njerëzve të shquar dhe informacioni. Tregim fare i shkurtër ishte ai i Akexander Solzhenicin “Në ditë nga jeta e Ivan Denisovicit” botuar në vitin 1953, por e tronditi ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe dhe më vonë! Ndaj, pohohet gjerësisht se “informacioni shkatërroi ish-BS-në përpara fillimit të të ashtuquajturës “Lufta e Yjeve” në vitet ’80.

Po kështu, me fjalën e tij legjendare në Dhomën e Komunëve në Londër, më 13 maj 1940, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, në prag të bombardimeve të egra hitleriane fitoi jo vetëm votëbesimin parlamentar, por në fakt dhe betejën, ndonëse premtoi vetëm “lot, djersë, mund dhe gjak”. Çhurchill njihet si një ndër kryemjeshtrat e fjalës dhe gjuhës angleze, me gojë dhe me shkrim.

Oratoria dhe forca e tij përshkruese janë në nivelin madhor të gjenialitetit politik të tij dhe ushtarak. Ndaj e konsiderojnë “Cezar në luftë dhe Ciceron në paqe”.

Më tej, fjalimi vetëm me 685 fjalë i J.F. Kennedy-t në Berlin më 26 qershor 1963 njihet nga fjalia mbyllëse “Unë jam Berlinez”! por ai i dha goditjen e parë dërmuese Murit të Berlinit. As dy muaj më vonë, më 28 gusht 2013, nobelisti i madh i Paqes, Martin Luter Kingu ngriti peshë zemrat e amerikanëve për të drejtat e tyre me fjalimin e tij profetik “Unë kam një ëndërr”. Brenda 16 minutave aty mes 250.000 njerëzve, pranë Memorialit të Linkolnit, me oratorinë e tij biblike, ai ndryshoi botën.

Është interesant se dhe vetë protagonistët e “ fuqisë së ngurtë” siç kanë qenë prijës dhe perandorë të mëdhenj kanë dhënë shembuj emblematikë të fuqisë së butë. Një ndër idhujt e parë të Fuqisë së Butë është Maria Leczinska, princesha e Polonisë, vajza e mbretit Stanislav dhe mbretëresha e Francës nën Luigjin XIV. Ajo u shqua gjatë 43 viteve të mbretërimit për pasionin dhe dhuntitë e saj në fushën e pikturës dhe të muzikës me disa krijime të spikatura. Ajo mirëpriti Moxartin e madh dhe i siguroi pension Volterit. Falë kontributit të saj, Versaja u kthye edhe në një tempull të vërtetë të artit dhe muzikës. Vijmë pastaj te bashkëshortja e mbretit Franc Joseph të Austrisë, mbretëresha Elisabetë ose Sissy, të cilën e ka përjetësuar me artin dhe bukurinë e saj, aktorja emblematike gjermane, Romy Schneider. Për të ardhur te hollivudiania e paharruar, Grace Kelly, princesha me bukurinë hyjnore dhe e paharruar e Monakos. Në Panteonin e Nderit ka vendin e vet të ndritur Lady Diana, kjo “princeshë e zemrave të popullit”, që me mirësinë dhe bujarinë që ajo rrezatonte kudo, me punë dhe veprimtari konkrete në shërbim të më të dobtëve e të rrezikuarve në çdo cep të botës. Në gjurmët e saj më të mira po ecën Princesha Kate, kjo “mbretëreshë e sharmit dhe fuqisë së butë.

Kësisoj, nëse dikur monarkitë ishin epiqendra dhe simbole të pushtetit absolut, sot, dhe pse pa pushtet real ekzekutiv, ata po kthehen në simbole të fuqisë së butë, nëpërmjet fjalës, imazhit, simpatisë dhe modelit që krijojnë.

Po kështu, disa personalitete të shquara shtetërore kanë mbetur apo janë kthyer në mendimtarë, aktivistë të paqes e dialogut, shkrimtarë, poetë, artistë, muzikantë, sportistë etj. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në lidershipin dhe trashëgiminë e tyre jo vetëm të pasur, por edhe njerëzore e të adhuruar nga publiku.

Këtu shquhet ish-Presidenti i Çekosllovakisë, shkrimtari dhe aktivisti i ndjerë socia, Vaclav Havel, i vlerësuar si Presidenti më i suksesshëm dhe i nderuar i vendeve ish-komuniste, jetën e të cilit Kundera e ka cilësuar si “ vepër arti”.

Një fakt tjetër domethënës që tregon epërsinë e fuqisë së butë” është se armët, ushtritë, bombat dhe gjithë arsenali tjetër, krahas sukseseve, kanë njohur edhe dështime, madje spektakulare. E kundërta ka ndodhur me artin, letërsinë, kulturën, sportin dhe protagonistët e mëdhenj, të cilët, me rrezatimin e tyre mbarëplanetar kanë triumfuar mbi të gjitha muret, kufijtë dhe ndarjet.

Shembujt e shumtë të përmendur më lart e të tjerë tregojnë se pavarësisht nga epiteti “i butë”, ndoshta jo dhe fort i gjetur, pushteti i tyre është tejet i fuqishëm e sfidues, sidomos në një plan më afatgjatë. Ndaj yjet e artit dhe sportit krahasohen me terma të leksikut të “fuqisë së ngurtë”-it si “legjenda”, “carë”, “perandorë”,

Ka pasur shumë komandantë dhe gjeneralë të shquar, që ashtu si në drejtimin e operacioneve gjigande ushtarake u dalluan edhe për realizimin e proceseve paqësore të qëndrueshme. Këta gjeneralë, ndoshta më mirë se të tjerët, e kanë provuar për vite e dekada në supet e tyre përgjegjësinë e madhe në luftë, sidomos koston e saj të pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare. Ndaj, në përfundim të një lufte, ata e kanë kuptuar se dividenti i paqes dhe epërsitë e saj janë të padiskutueshme. Kësisoj, ata i janë vënë me po atë pasion dhe dëshirë, projektimit dhe realizimit të një paqeje të vërtetë. Gjenerali i lavdishëm Dwight Eisenhower, pasi drejtoi ushtrinë amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, në vitet 1952-1961 u zgjodh për dy mandate rresht president i SHBA-së. Gjatë presidencës së vet, ai u shqua dhe për zbatimin me sukses të fuqisë së butë.

Ndërkohë, ish-zëvendësi i tij gjatë luftës së Dytë Botërore, gjenerali i shquar George Marshall, pas lufte u bë kryediplomat dhe në këtë cilësi, në vitin 1947 lançoi Planin e famshëm të ndihmave për demokracitë perëndimore që mban emrin e tij. Për këtë u nderua me Çmimin “Nobel” të Paqes. As në Lindjen e Mesme nuk kanë munguar gjeneralët e paqes. Ish-kryeministri izraelit Rabin në vitin 1993 bëri Marrëveshjen e Paqes me Liderin palestinez Jaser Arafat, me ndërmjetësimin e ish-presidentit Bill Clinton. Edhe Ish gjenerali Anvar El Sadat, më vonë president i Egjiptit, që disa vite më parë kishte mundur gjeneralët izraelitë, në vitin 1979 shkoi për vizitë miqësie në Tel Aviv, për paqe me atë vend. Të dy këta gjeneralë dhe burra shteti të mëdhenj e paguan me jetën e tyre guximin dhe diplomacinë e paqes. Shembulli i tyre i ndritur tregon se pavarësisht nga çmimi i lartë, nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më pak të kushtueshme se paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe miqësia ndërmjet popujve, pavarësisht nga e kaluara e tyre.

Ajo që të bën përshtypje në shtjellimin teorik e sidomos praktik të këtyre dy koncepteve është ndërthurja deri në shkrirjen e tyre organike. Për rrjedhojë, “fuqia e butë + fuqia e ngurtë ( soft + hard power) japin konceptin e ri modern “fuqia e mençur/inteligjente ( smart power). I lindur si term në vitet ’80, për herë të parë “fuqia inteligjente“ u përdor gjerësisht nga administrata e Clinton-it në vitet ’90 dhe pas vitit 2007 edhe më gjerësisht nga administrata e Obamës. Pa dyshim që një shembull tipik i “fuqisë inteligjente“ është Bashkimi Europian.

Ai lindi dhe u zgjerua si “fuqi e ngurtë“, mbi bazën e traktateve, direktivave dhe rregullave të shumta që përbëjnë atë që njihet si “acquis communataire” ose korpusi i tij ligjor; gjithashtu BE-ja njihet si “gjigand ekonomik”. Por BE-ja lindi qysh në fillim dhe si “fuqi e butë”. Kjo sepse të 6 vendet e para themeluese dhe të tjerat më vonë aderuan në BE pa kurrfarë detyrimi. Siç u përmend qysh në fillim, BE-ja lindi si projekt paqeje, me vlera emancipuese nëpërmjet fuqisë joshëse dhe bindëse.

Në këtë drejtim po shquhet edhe NATO-ja nëpërmjet konceptit të saj strategjik “smart defence”( mbrojtje inteligjente). Në prill 2013, duke qenë diplomat në Ambasadën tonë në Bruksel isha i pranishëm në një takim mbresëlënës në Bruksel me ish-komandantin e NATO-s për Europën, admiralin amerikan, James G. Stavridis. Të gjithë prisnin që admirali të fliste më shumë për armët, tanket, anijet ushtarake, luftërat dhe strategjitë ushtarake. Por ai u ndal në më të shumtën e kohës në fuqinë e butë.

Ai nënvizoi se ndërsa shekulli i kaluar ishte epoka e ndarjeve, mureve, gardheve, bunkerëve dhe e izolimit, sot jemi në epokën e lidhjeve, urave, komunikimit dhe bashkëpunimit. Në këto kushte “fuqia e ngurtë“ dmth ushtarake natyrisht do të përdoret në raste konfliktesh; por ajo e vetme është e pamjaftueshme, sidomos në rastet e paqebërjes, demokracisë dhe begatisë ekonomike. Në këtë kuptim, ai e quajti të natyrshme përdorimin e Facebook-ut dhe Twitter-it në NATO e në ushtri, sepse ato i shërbejnë lidhjes e komunikimit, si dy prej vlerave themelore të NATO-s.

Pjesë përbërëse vitale e fuqisë së butë është dhe Diplomacia publike e cila filloi të njihej dhe të institucionalizohej nga mesi i viteve ’50 në SHBA. I pari që e ka përdorur këtë term është ambasadori i shquar amerikan, ish-dekani i Fakultetit të së Drejtës në Universitetin e Tuftit, Edmund Gullion në vitin 1965, me rastin e inaugurimit të Qendrës së Diplomacisë Publike “Edward R. Murrow”. Sipas tij, “diplomacia publike merret me nxitjen e interesit, me informimin, mirëkuptimin dhe komunikimin me publikun e huaj mbi politikën e jashtme të një vendi”.

Grupi i Posaçëm i Planifikimit të SHBA-së, i ngritur në Departamentin e Shtetit për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së diplomacisë publike në strukturat e tij, në raportin e botuar më 20.06.1997, ndër të tjera nënvizon se: “Diplomacia publike synon të nxisë interesin kombëtar të SHBA-së nëpërmjet mirëkuptimit, informimit dhe ndikimit tek audienca e huaj”.

Në nxitjen e diplomacisë publike kanë ndikuar shumë faktorë, por sidomos teknologjia e informacionit, dixhitalizimi, rrjetet sociale dhe trysnia nga shoqëria civile; aq sa sot, fitimi i një beteje ushtarake nuk varet më vetëm nga supremacia ushtarake. Ashtu siç pohojnë ekspertë të fushës sot dhe fitoret në fushën ushtarake realizohen në radhë të parë si “betejë fjalësh, pamjesh dhe imazhesh”. Ish Presidenti i Bundestagut gjerman, i ndjeri Wolfgang Schauble, e ka sintetizuar mjaft mirë këtë dukuri kur shprehet se “interneti solli për Gjermaninë ndryshime më të mëdha sesa vetë shembja e Murit të Berlinit”. Aftësia e diplomacisë zyrtare në këto kushte është ndërtimi i marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit me median dhe publikun, që ajo të “shesë” sa më mirë produktet e veta.

Nisur nga dukuritë e mësipërme, Jan Melissen, ndër ekspertët më të mirë të diplomacisë publike thekson se gjatë 35 viteve të fundit ka pasur shumë më tepër ndryshime se gjatë 350 viteve që na ndajnë nga Paqja e Vestfalisë!

Për t’iu përgjigjur këtyre nevojave dhe zhvillimeve të reja, në dikasteret e diplomacisë dhe përfaqësitë e tyre jashtë vendit janë ngritur edhe strukturat përkatëse. Kështu, Departamenti Amerikan i Shtetit ka patur deri tani një drejtori të madhe dhe një Zëvendë Sekretar Shteti për diplomacinë publike, por fati i tyre tanimë është i pasigurt, për shkak të shkurtimeve drastike që ka shumë të ngjarë të prekin pîkërisht këtë fushë. Edhe NATO dhe organizatat e tjera të mëdha ndërkombëtare kanë drejtori të fuqishme dhe zv.Sekretar të Përgjithshëm të ngarkuar me Diplomacinë Publike, etj.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit