Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se Mohammed Sinwar, një nga figurat kryesore të Hamasit, është vrarë në një operacion ushtarak të zhvilluar më 13 maj në jug të Rripit të Gazës.
Sipas autoriteteve izraelite, trupi i Sinwar është gjetur së fundmi në një nga tunelet nëntokësore pranë një spitali në Khan Yunis. Konfirmimi zyrtar u bë pas procesit të identifikimit, ku u prezantuan dokumente personale dhe materiale vizuale nga vendi i ngjarjes.
Pamjet e publikuara nga IDF tregojnë momentin kur trupat izraelite hyjnë në tunelin ku ndodhej trupi i Sinwar, mes një sërë pajisjesh dhe municionesh të dyshuara si pjesë e strukturës së Hamasit.
Mohammed Sinwar, i njohur për rolin e tij të lartë në Hamas dhe i lidhur me disa operacione të dhunshme kundër Izraelit, u vra gjatë një sulmi që kishte në shënjestër një qendër komande të Hamasit në nëntokën e një objekti mjekësor.
Operacioni ndodhi vetëm një ditë pas lirimit të një ushtari izraelito-amerikan nga Hamasi. Autoritetet izraelite e kanë cilësuar ndërhyrjen si një hap të rëndësishëm në dobësimin e strukturave drejtuese të Hamasit në Gaza.