Në Vlorë, gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qendrore dhe Lindore, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi përkushtimin e Shqipërisë për një sistem drejtësie më të besueshëm dhe të digjitalizuar.
Manja vuri në dukje suksesin e reformës në drejtësi dhe përmbylljen e procesit të vettingut si hapa të rëndësishëm për forcimin e sistemit gjyqësor. Ai gjithashtu njoftoi se po implementohet një strategji për reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura dhe modernizimin e shërbimeve gjyqësore.
Në këtë konferencë, Manja njoftoi edhe se Shqipëria do të presë në vitin 2027 Kongresin Botëror të Drejtësisë, një ngjarje që do të tregojë progresin e vendit drejt një drejtësie më transparente dhe efikase.