Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në kremtimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Begaj në fillim u prit nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Më pas Begaj së bashku me përfaqësues të komunës dhe qytetarë të Prizrenit përshkoi në këmbë rrugën nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku vendosi një kurorë në nderim të kësaj date të shënuar.
Begaj e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar, duke theksuar se ajo përfaqëson ditën kur filloi lëvizja për pavarësi.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk duhet kujtuar si një ngjarje e shkuar, por si busull frymëzuese. Ajo na mëson se kur jemi të bashkuar, kur kemi vizion dhe vullnet, asgjë nuk është e pamundur. Ajo na kujton se atdhedashuria është vepër, jo fjalë, se atdhedashuria është të nderojmë sakrificat e djeshme me përgjegjësi të madhe për sot e me vizion për nesër!”, tha Begaj.