Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump zhvilluan një telefonatë 40-minutëshe të hënën mbrëma, në sfondin e zhvillimeve të fundit rreth marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Biseda vjen pasi Teherani njoftoi se do të përgjigjej së shpejti ndaj propozimit më të fundit të Uashingtonit për një marrëveshje të re bërthamore. Pas telefonatës, Netanyahu mblodhi urgjentisht një konsultim të nivelit të lartë për sigurinë, me fokus të veçantë mbi kërcënimin iranian.
Sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit izraelit, Trump e konsideroi ofertën e SHBA-së si “të arsyeshme” dhe pritet një përgjigje nga Irani në ditët në vijim. Presidenti amerikan shtoi se planifikon një raund tjetër bisedimesh me Teheranin gjatë fundjavës.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, konfirmoi për Reuters se raundi i ardhshëm i negociatave indirekte SHBA-Iran do të zhvillohet të dielën në Muscat, Oman.