Një kryeministër që duket se i ka harruar 1,5 milionë banorë të Kosovës, sepse duhet (a duhet?) çdo ditë të bëjë poza patriotike në veri të vendit.
A ka vendi nevojë për gjimnastika të përditshme patriotike apo për punë të mirëfilltë e reforma të thella? Pyetja është, në fakt, e tepërt.
Domosdoshmëri është dialogu shoqëror dhe jo ligjëratat nga bregu. Kush e organizon këtë dialog? Askush, tani për tani, sepse zhurma e përditshme e ka mbytur zërin e çdo autoriteti publik.
Një lider – i vogël – deri tash opozitar, të cilit i ka dalë nga kontrolli gjuha politike dhe është zhytur në fjalime toksike.
Një lider tjetër që mendon – krejt gabimisht – se tani nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë, sepse pas një viti – në zgjedhje të reja të parakohshme – do të fitojë shumë. Ekziston rreziku që përkrahja për partinë e tij të bjerë.
Një lider i komanduar dhe deri tash opozitar, të cilit s’i bëhet vonë për asgjë, sepse ka arritur të shpëtojë “sukseset në pushtet” të bashkëpartiakëve të tij pa asnjë pasojë penale, andaj tani vetëm e pret shansin e rikthimit.
Një drejtësi që në njërin sy shtiret e verbër.
Një milet që më shumë merret me “tregti flamujsh” sesa me garë idesh.
Një klasë politike që nuk është e aftë të zotërojë diskursin politik, por lejon (ose shpreson) që diskursi toksik i paraxhematit pseudopublik do të ndihmojë për ndryshime cilësore. Çfarë marrëzie!
Politikanë që më shumë janë të brengosur pse fotografia e tij/saj nuk doli në mediat sociale 5 minuta pas ngjarjes, por tek pas 8 minutave, sesa për problemet e përditshme të qytetarëve. Ngjarja, përmbajtja, qëndrimi – janë të parëndësishme, me rëndësi: poza.
Një parti që i ka fituar zgjedhjet, por jo shumicën, duhet të gjejë rrugë për kompromis. Ky kompromis fillon edhe te propozimi i një kandidati/kandidateje që merr vota përtej partisë bindshëm fituese.
Ideja e disa partive për ta përzënë nga pushteti partinë që i ka fituar gati 50 deputetë mund të duket atraktive, por në aspektin afatmesëm është bombë me sahat për demokracinë. Por kush ka disponim për eksperimente, lirisht le ta bëjë. Shumica është shumicë – me të gjitha pasojat e saj.
Çfarëdo që ndodh në muajt e ardhshëm, një gjë është pothuajse e sigurt: kur të vijë koha për të zgjedhur presidentin e ri, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, sepse secila parti do t’ia bëjë gropën tjetrës, për shembull me mospjesëmarrje në votim.
Nëse klasa politike është e paaftë të zgjedhë presidentin e ri, atëherë pse të mos ndryshohet Kushtetuta dhe presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli?
Kur është seanca e radhës e Parlamentit? Nëse jo sot, me siguri nesër. A është seanca e 29-të, e 30-të apo e 31-ta? Në këtë vend i ka humbur kuptimi edhe numërimit të seancave. Nuk po miratohen ligje në Kuvend, por po organizohen rituale pothuajse sektare.









