Më 10 qershor 2025, një ngjarje e rëndë tronditi qytetin Graz në Austri, ku një sulm me armë u zhvillua brenda një shkolle. Sipas raportimeve paraprake, disa persona janë plagosur dhe deri tani raportohet për pesë viktima.
Policia austriake ka konfirmuar se po vazhdon operacioni në vendngjarje pas raportimeve për të shtëna brenda shkollës. Autoritetet dyshojnë se sulmin e ka kryer një nxënës, i cili dyshohet se përdori disa armë para se të kryente vetëvrasje.
Në mesin e të plagosurve janë nxënës dhe mësues. Njësitë speciale të policisë, duke përfshirë edhe task-forcën elitare Cobra, janë angazhuar për të hetuar dhe vlerësuar situatën në mënyrë të plotë.
Qyteti i Grazit, i dyti më i madh në Austri me rreth 300,000 banorë, është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë. Autoritetet po përpiqen të sigurojnë informacion të saktë dhe po ofrojnë mbështetje për viktimat dhe familjet e tyre.