Një emigrant shqiptar ka shpëtuar sot dy fëmijë që po mbyteshin sot në Greqi në një lum në zonën e Artës. Ngjarja ka ndodhur në mëngjes kur një grup prej katër fëmijësh mbërriti në lumin Arahthos, në zonën e Neohorit.
Dy fëmijë janë futur në ujë, ndërsa shokët e tyre i kanë parë nga bregu. Pasi kanë humbur, një nga fëmijët shkoi në një lokal pranë lumit dhe ka njoftuar shokët e tyre për ndihmë. Më pas klientët e lokalit kanë vrapuar dhe shqiptari Levian Gega duke përdorur varka dhe litarë ka arritur që të nxjerrë në kojë fëmijët nga uji.
Shqiptari në televizionin shtetëror ERT ka thënë që “Erdhën dhe kërkuan ndihmë. Hoqa rrobat dhe u hodha në ujë. Nxora njërin, pastaj shkova të gjej tjetrin. U zhyta, por nuk arrita ta gjej. Pastaj u hodha nga varka, ishte shumë thellë, 5-6 metra. E pashë fëmijën shtrirë, e kapa, me zor e nxora jashtë… mezi merrja frymë”, tha ai.
Ai shtoi se “Unë jam i huaj, por bëra një të mirë, nuk ka rëndësi origjina. Të mos i ndodhë askujt. Bëra një të mirë, asgjë tjetër. Mendoj për fëmijët e mi” – ka thënë ai duke shpërthyer në lot. “Uroj të jetojnë fëmijët, Perëndia të jetë me ta, të zgjohen, të bëjnë jetën e tyre, është mëkat… njëri nga fëmijët ishte vetëm 12 vjeç.”