Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është dënuar me 10 ditë në burg të mos marrë pjesë në aktivitete sportive, për shkak se të një intervistë me telefon me gazetaren Beti Njuma. Meta e ka pranuar se është dënuar dhe shprehet se është “dënim historik”.
“Po, ky vendim “historik” është i vërtetë dhe m’u komunikua sot nga Komisioni i Disiplinës në IEPV “Jordan Misja”, gjoja pse kisha kryer një bisedë telefonike në ora 20:20, kur telefonatat lejohen deri në ora 20:00. Këtë orar strikt unë nuk e dija sepse sigurisht do ta respektoja. Në fakt ndalimi i aktivitetit tim sportiv (ping-pong) për 10 ditë ndodhi për shkak të intervistës që unë dhashë për kolegen tuaj Beti Njuma.
Unë kam telefonuar z. Tedi Blushi, me të cilin jam në kontakt të vazhdueshëm, i cili ishte duke zhvilluar live një intervistë me të dhe natyrisht që nuk mund t’i shmangesha pyetjeve të Znj.Njuma, në respekt jo vetëm të integritetit të lartë profesional që ka por edhe të pasionit të saj për ngjitjen në male. Pavarësisht “dënimit historik” të jeni të bindur se intervistat e mia nuk do të ndalen, përkundrazi tani do të jenë edhe më të shpeshta”, tha Meta në një intervistë në Ora News.
Ai ka folur edhe për vështirësitë e qëndrimit prej 8 muajsh në burg dhe tha se gjatë kësaj kohe ka takuar shumë pak njerëz.
Meta shtoi se “Kjo nuk është sfidë për mua pasi unë kam problem kondicionerin dhe jo të nxehtin. Vërtet tani nuk ka ujë, këtu në mes të Tiranës edhe 12 vjet pas premtimit të Kryerilindasit, por kur vjen 1 ose 2 orë, mbushim bidonat për t’u larë.”