Një avion Boeing 787 Dreamliner i linjës ajrore Air India, që po fluturonte me destinacion Londrën, u rrëzua sot në mëngjes në zonën pranë aeroportit ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad, Indi. Në bord ndodheshin 242 pasagjerë dhe ekuipazh.
Ngjarja ndodhi vetëm disa sekonda pas ngritjes nga pista, duke shkaktuar një re të dendur tymi që mbuloi pjesën përreth aeroportit. Ekipet e emergjencës u aktivizuan menjëherë dhe u nisën drejt vendit të aksidentit për të dhënë ndihmën e nevojshme.
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka komunikuar menjëherë me autoritetet lokale të Gujarat-it, duke kërkuar bashkëpunim maksimal për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës emergjente. Qeveria qendrore është angazhuar në mbështetje të plotë.
Aktualisht nuk ka informacione të konfirmuara për numrin e të lënduarve apo viktimave, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë intensivisht.