Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar ndaj sulmeve izraelite ndaj lokacioneve ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Erdogan i cilësoi këto sulme si një “provokim të qartë”.
Me anë të një postimi në platformën X, Erdogan shprehet se qeveria izraelite dëshiron që të provokojë “paqëndrueshmëri në rajonin tonë”. Ai tha se sulmet e Netanyahut duhet të parandalohen.
“Që nga mëngjesi i sotëm, Izraeli e ka çuar strategjinë e tij për të mbytur rajonin tonë, veçanërisht Gazën, në gjak, lot dhe paqëndrueshmëri në një nivel shumë të rrezikshëm. Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë, Iranit, janë një provokim i qartë që shkel ligjin ndërkombëtar. Këto sulme, të cilat vijnë në një kohë kur negociatat për programin bërthamor të Iranit po intensifikohen dhe presioni ndërkombëtar kundër veprimeve çnjerëzore kundër Gazës po rritet, demonstrojnë mentalitetin e Izraelit”, shtoi Erdogan.