Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë arritur një tjetër kulm, pas një vale sulmesh ajrore izraelite ndaj objektivave bërthamore në territorin iranian. Si pasojë e përshkallëzimit, janë pezulluar shumë fluturime, përfshirë edhe ato mes Tel Avivit dhe Tiranës, sipas Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Sipas mediave shtetërore iraniane, në sulmet izraelite është vrarë komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, gjeneralmajor Hossein Salami, si dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë. Një ndër objektivat kryesorë të goditur ishte një impiant i pasurimit të uraniumit.
Në kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar një numër të madh dronësh dhe raketash drejt Izraelit, disa prej të cilave janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore jordaneze. Kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi se operacioni kishte për qëllim “të frenonte kërcënimin ekzistencial iranian ndaj Izraelit”.